Gjonaj me shoqërinë civile: Konsolidim i urave të bashkëpunimit

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj organizoi një mëngjes pune me një përfaqësi të gjerë të shoqërisë civile, ku ndau disa nga detajet e projekteve kryesore që janë ndërmarrë me qëllim forcimin e shtetit të së drejtës. Duke kërkuar kooperimin e tyre më të drejtpërdrejtë në të gjitha proceset, ministrja kërkoi konsolidimin e mëtejshëm të urave bashkëpunuese duke vendosur theksin te Reforma në Drejtësi, ajo në sistemin penitenciar, drejtësia për të miturit, lufta kundër korrupsionit dhe ndihma ligjore falas.

Teksa tregoi objektivat kryesore për veprimtarinë e institucionit që drejton, Gjonaj e çmoi shoqërinë civile si “frymëmarrje” të nevojshme për mirëfunksionimin e secilës iniciativë.

Ndërkohë, ajo mirëpriti vlerësimet, sugjerimet dhe kritikat e tyre, ku nënvizoi se këto tryeza ndihmojnë jo vetëm në jetësimin e raportit midis ministrisë dhe shoqërisë civile, por shmangin dështimet, rikuperojnë gabimet dhe fuqizojnë punën që po bëhet. Më tej, ajo garantoi se bashkëbisedime të tilla do të vijojnë të zhvillohen në mënyrë periodike për ta përfshirë shoqërinë civile në çdo etapë të të gjitha reformave që po ndërmerren.

SHKARKO APP