Gjonaj tregon sesi do të funksionojë mekanizmi i ri për integritetin e administratës

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka prezantuar planet e integritetit që pritet të aplikohen gjatë muajve në vijim për administratën publike, në kuadër të ”Javës së Integrimit”. Këto plane sipas Gjonajt pritet të forcojnë transparencën dhe llogaridhënien. Gjatë takimit që organizohej nga UNDP dhe IDM dhe që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, ministrja Gjonaj tha se projekti do të fillojë qysh me stafin e ministrisë që drejton, Gjonaj garantoi se ky mekanizëm i mirëmenduar do ta bëjë më të efektshme luftën kundër korrupsionit dhe do të shtrihet në të gjithë hartën institucionale.

Në cilësinë e Koordinatorit Kombëtar Kundër Korrupsionit, Gjonaj përshëndeti planet e integritetit të implementuara në 6 bashkitë e para pilot, duke vendosur theksin te rezultatet që priten. Ajo tha se rritja e transparencës dhe promovimi i integritetit janë prioritetet kryesore të qasjes ndaj fenomeneve korruptive që sipas saj janë prioritetet kryesore të qeverisë shqiptare.

”Kjo javë ka ngritur siparin dje me aktivitete të ndryshme dhe deri në datën 11 shkurt do të zhvillojmë një sërë tryezash me qëllim gjithëpërfshirjen e të gjithë aktorëve në luftën kundër korrupsionit. Më vjen mirë të them se sot jemi mbledhur në këtë takim sepse kemi bërë një hap përpara. Ky hap është realizimi dhe i një prej objektivave të strategjisë ndërsektoriale të drejtësisë për Adoptimin e politikave kundër korrupsionit në nivelin e qeverisjes vendore. Ky objektiv ka pasur si qëllim që institucionet e pushtetit vendor të përfshihen në programin antikorrupsion duke përshtatur objektivat dhe politikat me specifikat e pushtetit vendor”.

Gjonaj sqaroi se planet e integritetit shihen prej saj dhe institucionit që drejton, si një ndër instrumentet më të rëndësishëm për të rritur transparencën dhe për të shmangur korrupsionin në administratën publike.

SHKARKO APP