Gjoni: 21 Qershori demostron shpirtin demokratik të shqiptarëve

 

Partia e Evropianëve Socialistë (PES) ka zhvilluar kongresin e saj vjetor këto ditë në Budapest, gjatë të cilit drejtuesit e majtë evropianë diskutuan mbi rritjen e punësimit, investimeve dhe mbi të ardhmen e demokracisë sociale në Evropë.

Partitë anëtare të PES rizgjodhën për një mandat tjetër në krye të PES, Sergei Stanishev, ish-Kryeministër i Bullgarisë, si dhe eurodeputeten hungareze, Zita Gurmai në krye të Lëvizjes së Grave të PES.

Siç është bërë tashmë traditë, në kuadër të Kongresit të PES-it, u zhvillua edhe tryeza e rrumbullakët për Ballkanin Perëndimor me pjesëmarrje të Kryetarit të Opozitës së Maqedonisë, Zoran Zaev, eurodeputetët Knut Fleckenstein, Tanja Fajon, Hannes Swoboda dhe përfaqësues të tjerë të partive socialdemokrate të vendeve të rajonit tonë.

Nga koalicioni i majtë i Shqipërisë mori pjesë  Ralf Gjoni, Sekretar Ndërkombëtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Gjatë ndërhyrjes së tij në tryezën e Ballkanit Perëndimor, Ralf Gjoni shprehu mirënjohjen për mbështetjen gjithnjë të fortë të PES për axhendën evropiane të Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit, dhe theksoi se kjo mbështetje duhet të forcohet më tej, veçanërisht në kuadër të sfidave të mëdha që presin Shqipërinë gjatë muajve në vazhdim, të cilat lidhen ngushtë me reformën në drejtësi si dhe me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Më tej, ai i informoi pjesëmarrësit mbi zhvillimin e qetë dhe frymën qytetare të zgjedhjeve të pushtetit vendor, duke shprehur bindjen se këto zgjedhje do të demonstrojnë edhe një herë shpirtin demokratik të qytetarëve shqiptarë si dhe përkushtimin e mazhorancës për të arritur standardet më të larta bashkëkohore të procesit zgjedhor.

Gjatë punimeve të Kongresit, Sekretari Ndërkombëtar i LSI-së, Ralf Gjoni u takua edhe me Zoran Zaev, kryetarin e opozitës maqedonase, të cilit i shprehu mbështetjen e pakushtëzuar të Shqipërisë për progresin demokratik, institucional dhe euro-atlantik të Maqedonisë, duke vënë theksin në integrimin e plotë të popullsisë shqiptare në vendin fqinj.

Gjithashtu, Gjoni u takua edhe me Presidentin e Parlamentit Evropian, Martin Schulz, eurodeputetët Knut Fleckenstein, Tanja Fajon dhe Hannes Swoboda, të cilët i falënderoi për vëmendjen e vazhdueshme të Parlamentit Evropian, dhe veçanërisht të Grupit Parlamentar Socialist dhe Demokrat ndaj progresit të gjithanshëm Shqipërisë dhe veçanërisht ndaj axhendës evropiane të të gjithë rajonit.

SHKARKO APP