Gjosha: Mbyllja e kufijve nga BE, presim më shumë refugjatë në Shqipëri

Mbyllja e kufijve nga vendet e Bashkimit Europian do të thotë më shumë refugjatë drejt Shqipërisë. Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha ngriti këtë paralajmërim në studion e lajmeve të Ora News, ndërsa theksoi me shqetësim se fluksi i emigrantëve tashmë e spostuar zgjerimin e BE-së në plan të dytë.

Gjosha: Do të thotë pse jo edhe një ardhje më e madhe e refugjatëve në Shqipëri apo në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, gjë që mund të shkaktojë edhe një problematikë edhe më të madhe. Çështja e refugjatëve është bërë pjesë e ditës dhe ajo bëhet pjesë dashur pa dashur edhe e çështjeve të zgjerimit. Pra është një vendimmarrje që e marrin vetë vendet anëtare, duke qenë se ndodhemi në një situatë kaq të vështirë për momentin, shpesh herë çështja e zgjerimit zë një vend dytësor, të tretë e kështu me radhë.

Por faktorët pengues të integrimit të vendit duket se nuk janë vetëm të jashtëm. Sipas Gjoshës, mungesa e dialogut politik për reformën në drejtësi pengon hapjen e negociatave.

Gjosha : Çështja e konsensusit apo debatit politik në mendimin tim është shumë i rëndësishëm. Është i rëndësishëm nëse ne duam të kemi një reformë të qëndrueshme. Nuk është çështje konsensusi. Është më shumë çështje e dialogut politik, i cili mungon dhe kjo patjetër që do e penalizonte Shqipërinë. Përse e them këtë? Po të shikoni të gjithë progres raportet e BE, një nga çështjet kryesore që diskutohet dhe i mungon sot Shqipërisë është pikërisht dialogu politik.”

Prioritetet kyce, të vendosura nga BE, shtoi ministrja, janë në rrugën e duhur dhe se me realizimin e reformës në drejtësi Shqipërisë i hapet drita jeshile drejt integrimit.

SHKARKO APP