Gjosha: Nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare me BE-në, kushtet që pengojnë Shqipërinë
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha thotë se nuk do të ketë konferencë ndërqeveritare Shqipëri-BE për hapjen e negociatave para zgjedhjeve, pasi ato janë kusht. “Kusht janë zgjedhjet, nuk mund të ketë konferencë ndërqeveritare. Kur të dëgjoni dhe vende anëtare në mbledhjen e ardhme aty do të sqarohet situata”, u shpreh Gjosha.
Ish-ministrja e Integrimit shton se kusht do të jetë funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese. Sipas saj, BE ka vendosur 5 kritere që përkthehen në 15 kushte të detajuara për vendin tonë.
Për votimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor, ish-deputetja e LSI-së tha se ”nuk u dha asnjë mundësi për dialog” pavarësish se ”opozita jashtëparlamentare dha alternativën e saj por nuk u pranua. Lista sot është më e mbyllur seç ishte. Më shumë bëjmë eksperiment sesa reforma apo ndryshime”, deklaroi ajo.
Për çështjen e listave, Gjosha shtoi se LSI-ja merr përgjegjësinë e saj për këtë çështje duke iu referuar vendimit për të djegur mandatet. “Nëse ata individë që janë sot në Parlament nuk do të kishin pranuar mandatet tona, kjo qeveria do të kishte rënë të nesërmen. Ka shkuar në atë pikë ku njerëzit presin datën 25 prill për të votuar dhe nëse më 26 nuk ndryshon gjë, atëherë marrin valixhet dhe ikin, prandaj opozita ka një përgjegjësi të madhe”,- tha Gjosha për ”euronews”.