Gjosha takim me vajzat dhe gratë në Vlorë: 25 Prilli do të jetë dita e fitores të qytetarëve vlonjatë dhe të gjithë Shqipërisë
Kryetarja e Forumit të Gruas në LSI, Klajda Gjosha ka zhvilluar këtë të mërkurë një takim me kandidatet gra në Vlorë, si dhe vajzat dhe gratë e këtij qytetit. Përmes një postimi në facebook, ajo thotë se ato po luftojnë çdo ditë me keqqeverisjen. Sipas Gjoshës, nga Vlora ka nisur vala e ndryshimit.
”Nga Vlora ka nisur vala e ndryshimit. Fasada dhe betoni do të zëvendësohen nga shpresa për të ardhmen. E lumtur sot mes grave dhe vajzave, të forta të Vlorës që me pasionin e tyre luftojnë çdo ditë me keqqeverisjen për ta bërë Vlorën shtëpinë e tyre.
25 Prilli do të jetë dita e fitores të qytetarëve vlonjat, dhe të gjithë Shqipërisë”,-thotë kryetarja e Forumit të Gruas në LSI, Klajda Gjosha.
LSI ka shpallur si objektiv politik që në Vlorë të marrë 3 mandate deputetësh. Për këtë arsye, drejtues të kësaj force politike janë angazhuar në të gjithë strukturat e këtij qarku për të maksimizuar dhe për të mbrojtur votën e qytetarëve.