Gjuha e trupit të Berishës, ekspertja e quan babaxhan: I ka qëndruar besnik disa elementeve të tij

Ekspertja e komunikimit jo verbal, Irena Myzeqari u ndal tek gjuha e trupit të Berishës ajo tha se është “shumë karizmatik”. Kjo pasi, sipas ekspertes, ai i ka qëndruar besnik disa elementeve të tij, si toni i zërit e dialekti. Gjuha e tij e trupit, shprehet Myzeqari, është babaxhane, është afruese, e ftuese.

Besard Jacaj: Berisha duket më serioz në daljet e tij publike, ndoshta edhe për shkak të moshës më të madhe.

Irena Myzeqari: Është serioz, por edhe ai është shumë karizmatik, sepse ai i ka qëndruar besnik disa elementeve të tij, tonit të zërit, dialektit. Këto janë elementë, të cilat ne e dallojmë në mënyrë të menjëhershme që shiko se po flet Berisha. Kjo lloj vërtetësie, pra kjo lloj mos shtirjeje e bën atë që mesazhet, le të themi, si të Kryeministrit Rama, ashtu edhe të Sali Berishës mund të impaktojnë pjesë më të mëdha të audiencave. Nuk po ndalemi këtu për argumentet logjike që ata ofrojnë, por ama gjuha e tyre e trupit është babaxhane, është afruese, është ftuese.

Besard Jacaj: Ndikon mosha tek kjo?

Irena Myzeqari: Jo nuk besoj. Meqë dhe media ka një funksion, padyshim edhe edukues, do të doja t’i thoja kujtdo në audiencë, që inspiron të bëhet nesër pjesë e politikës, apo të jetë lider komunitar, të pasurit një gjuhë, apo të qenit karizmatik nuk lidhet me kopjimin e disa sjelljeve, por ka të bëjë me autenticitetin që ti ofron si personazh.

Nëse ti vërtetë beson tek kauza dhe argumenti që ti thua dhe nëse ti këtë pasion e ke të brendshëm, e ke të natyrshëm, ke punuar me veten dhe e ke nxjerrë në pah, atëherë nuk ka një moment dhe një moshë, ku ti je më karizmatik, apo më pak karizmatik. Sa më shumë vite të kalojnë, ti bëhesh versioni më i mirë i këtyre elementeve. Lajthitjet, në thonjëza, që ndodhin pastaj, komunikative, le të themi lidhen për shkak se ne mund të kemi komunikatorë shumë të mirë publik, por kur bëhen komunikatorë politikë, aty pastaj ti shikon që janë disa fytyra që ti nuk ke besuar se këta individë i kanë.

Sipas ekspertes, “studimet e komunikimit tregojnë se ne kemi të ndarë shumësinë e akteve tona komunikative në 3 aspekte: Toni i zërit, që përbën 38 përqind të komunikimit tonë, fjalët që përbëjnë 7 përqind dhe 55 përqind e gjithë komunikimit tonë janë mesazhet jo verbale që ne përçojmë, që do të thotë se ka një peshë goxha të rëndësishme. Shpesh ndodh ajo që gjuha jonë e trupit komunikim gjëra të tjera, ndërkohë që me fjalë përpiqemi të komunikojmë gjëra të tjera”.

SHKARKO APP