Gjuha shqipe në shkolla, mësuesit: Tekst dhe provim më vete

Mësuesit këmbëngulin që gjuha shqipe dhe leximi të jenë lëndë dhe provim me vete. Kjo ndërhyrje e domosdoshme sipas tyre do të ndikojë në mësimin më të mirë të gjuhës amtare por dhe letërsisë. “Duhet të ndahen si lëndë të veçanta, jo vetëm për të ruajtur vijueshmërinë kur studenti vjen në gjimnaz, por edhe për të theksuar më shumë përforcimin e përdorimit të gjuhës, sepse shikojmë defekte kur ata vijnë në gjimnaz”, thonë disa nga mësueset.

Pas kërkesave të vazhdueshme të gjuhëtarëve, 3 vjet më parë ministria e Arsimit ndau si lëndë dhe tekst me vete gjuhën nga letërsia, por vetëm në shkollë të mesme. Pedagoget e gjuhës shqipe këmbëngulin se kjo politikë duhet të përfshijë arsimin e detyruar dhe atë të lartë. Vetëm një ditë më parë studentët e gjuhës dhe letërsisë pranuan publikisht se nuk njihnin kohet e foljes, njohuri që mësohen në klasë të pestë.

Burime jo zyrtare nga ministria e Arsimit bëjnë të ditur se nuk ka nisma konkrete për ndarjen e gjuhës nga letërsia në Arsimin e detyruar apo shtrirjen e shqipes edhe në universitete. Ndërkohë gjuhëtarët nuk ndalen në thirrjet ndaj qeverisë për t’i kushtuar shqipes politika të veçanta dhe financime për mbrojtjen e saj. /A2Cnn/

SHKARKO APP