Gjuta mohon tritolin te Tahiri: Do dorëzohesha vetë!

Vladimir Gjuta mohon vendosjen e tritolit në farmacinë e babait të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri më 10 shkurt të këtij viti.

Ndërsa është marrë në pyetje prej mesnatës deri sot në mëngjes nga krerët më të lartë të policisë së shtetit, përfshi vetë Drejtorin e Përgjithshëm Haki Çako, zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë në seksionin e Krimeve të Rënda Ardian Çipa dhe Zv.Drejtorin e Pergjithshëm të Policisë Altin Qato, Gjuta nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij.

Në vijim ai pritet të merret në pyetje edhe nga dy prokurorë të Krimeve të Rënda, raporton Ora.

35-vjeçari Gjuta, njeriu që dyshohet se qëndron jo vetëm pas tritolit në farmacinë e familjes Tahiri, por edhe kërcënimit me jetë të Ministrit të Brendshëm, u arrestua dje pranë tunelit të Kalimashit, në një operacion të forcave speciale RENEA.

Vladimir Gjuta u kap në mjetin me targa të Kosovës Rks 04 540 EP ku udhëtonte si pasagjer pasi në drejtimin e tij ishte Blerim Thaçi, 32 vjeç, nga Prizreni.

Bashkë me ta në një makinë të dytë më targa AA 169 JG udhëtonte edhe Indrit Ademi, 26 vjeç, nga Kukesi.

Sipas News24, Gjutës i është gjetur një pistoletë tip Glock, me inicialet e tij të gdhendura.

Policia tha se arma u gjet e fshehur në baterinë e makinës.

Ai ka deklaruar se do të dorëzohej vetë, por pas zgjedhjeve.

Mësohet se policia kishte marrë informacion në rrugë operative për lëvizjet e njeriut të supërkërkuar dhe mbi bazë është ndërmarrë edhe operacioni i specialeve.

Nën masa të rrepta sigurie, Gjuta është sjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku është mbyllur në dhomat e paraburgimit.

SHKARKO APP