Gjykata e Lartë rrëzon kërkesën për liri të Mark Frrokut

Gjykata e Lartë rrëzoi sot kërkesën e deputetit Mark Frroku, për ndryshimin e masës së sigurisë.

Deputeti Mark Frroku me anë të avokatëve të tij mbrojtës kishte kërkuar heqjen e masës së sigurisë “arrest me burg” nga kjo gjykatë. Ai qëndron prej më shumë se një muaji në burg, pas vendimit të kaluar të Gjykatës së Lartë, teksa pranoi kërkesë e prokurorisë. U desh edhe leja e Kuvendit dy herë, duke qenë se Frroku është deputet,  që t’i hapej rrugë arrestimit të tij.

Fillimisht Frroku u arrestua për kallzim të rremë mbi çështjen “Doshi”, por po hetohet aktualisht edhe mbi akuzat që vijnë nga Belgjika, mbi një vrasje të kryer në vitin 1999.

Gjithsesi, deputeti Frroku e konsideron të padrejtë arrestimin dhe pas vendimit të fundit Gjykatës së Lartë, ka paralajmëruar se çështjen do ta dërgojë në Kushtetuese.Avokatët e Mark Frrokut deklaruan se do të presin Gjykatën Kushtetuese, pasi sipas tyre Gjykata e Lartë nuk ka bërë një shqyrtim të drejtë. 

“Aktualisht jemi në pritje të ardhjes së dokumentacionit që deri në këto momente nuk ka asnjë fakt e provë në lidhje me veprën penale në Belgjikë”, tha avokati Saimir Vishaj, duke iu referuar çështjes tjetër për të cilën Frroku gjendet në burg.

Sipas avokatëve, Frroku është në gjendje të rëndë shëndetësore në spitalin e burgut.

 

 

SHKARKO APP