Gjykata Kushtetuese legjitimon ”30 Qershorin”, PS: Askush nuk ia merr popullit sovranitetin për interesa të turpshme politike
Pasi Gjykata Kushtetuese legjitimoi 30 ”Qershorin”, vjen edhe reagimi i parë nga PS-ja. Kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla thotë se zgjedhjet lokale të 2019 u çertifikuan si dita e mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjalë boshe dhe askush më kurrë s’mund të tentojë t’ia marrë popullit sovranitetin për interesa të ulëta dhe hesape të turpshme politike. ”Mbajtja e zgjedhjeve në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, ishte një meritë e të gjitha institucioneve të cilat Ligji themelor dhe ligjet e tjera ngarkojnë me organizimin e zgjedhjeve”.
Postimi i plotë
Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, përshëndes vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila çertifikoi plotësisht ligjshmërinë e Zgjedhjeve Vendore të 30 Qershorit 2019.
30 Qershori 2019 u çertifikua si dita e mësimit historik se fjala sovran nuk është një fjalë boshe dhe askush më kurrë s’mund të tentojë t’ia marrë popullit sovranitetin për interesa të ulëta dhe hesape të turpshme politike.
30 Qershori 2019 ishte dita e njerëzve të zakonshëm, që pavarësisht votojnë apo nuk votojnë, respektojnë të drejten e tyre themelore për të zgjedhur dhe kurrë nuk mund të detyrohen nga askush të heqin dorë nga kjo e drejtë.
Ato zgjedhje vendosën përfundimisht popullin mbi partitë dhe për të mbyllur përfundimisht një histori të gjatë lojrash të partive me popullin.
Mbajtja e zgjedhjeve në datën e përcaktuar nga Kushtetuta, ishte një meritë e të gjitha institucioneve të cilat Ligji themelor dhe ligjet e tjera ngarkojnë me organizimin e zgjedhjeve.
Natyrshëm Kuvendi i Shqipërisë ka një meritë të veçantë, sepse mori përgjegjësitë e duhura me qëndrimin e prerë në respekt të ligjshmërisë.