Gjykata pranon ankimimin e Alibeajt ndaj vendimit të gjyqtarit Zhukri
Gjykata e Tiranës ka pranuar ankimin ë Enkelejd Alibeaj, duke legjitimuar atë si ankues, e më pas pranimin e të drejtës për ankimim.
Me sa duket pas vendimit të gjyqtares Blerina Muça për të pranuar ankimimin e Enkelejd Alibeajt, beteja për PD-në do të zhvillohet në gjykatën e Apelit. Në këtë mënyrë, Gjykata pranon si palë në proces, nënkryetarin e PD Enkelejd Alibeaj.
“Ju informoj se sot më datë 22.04.2022, gjyqtare znj. Blerina Muça, në lidhje me kërkesën e paraqitur nga Partia Demokratike e Shqipërisë përfaqësuar nga z. Enkelejd Alibeaj, me objekt: Prishjen e Vendimit Nr. 1346/222 Akti, Nr. 3 Vendimi, datës 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me gjyqtar Agron Zhukri duke vendosur pushimin e gjykimit ose kthimin e saj për shqyrtim në të njëjtën gjykatë por me tjetër trup gjykues, vendosi në dhome këshillimi:
– Pranimin e ankimit të palës ankuese, Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Nënkryetari i saj z. Enkelejd Alibeaj, ndaj Vendimit Nr. 3, datë 25.03.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
– Kundër vendimit nuk lejohet ankim”, thuhet në vendimin e Gjykatës.