Gjyqësori, më pak varësi nga politika dhe shumë më pak imunitet

Ndryshimet kushtetuese për sistemin e drejtësisë sugjerojnë që në të ardhmen, roli i politikës në sistem, përmes presidentit apo parlamentit do të reduktohet në minimum, ndërsa gjykatësve do t’i hiqet imuniteti i gjerë që gëzojnë aktualisht ndaj procedimeve disiplinore.

Nga Gjergj Erebara

Sistemi aktual i drejtësisë në Shqipëri u nis të ndërtohej dy dekada më parë me paramendimin se Presidenti i Republikës, mbikëqyrësi i sistemit, do të qe një figurë mbipartiake dhe apolitike. Por përgjatë kohës nga rënia e komunizmit, Shqipëria ka pasur pesë presidentë, të gjithë me përjashtim të njërit, njerëz politikë. Në rast se ndryshimet kushtetuese për reformën në drejtësi të propozuara nga grupi i ekspertëve miratohen, situata nuk do të jetë më kështu. Kuvendi i Shqipërisë, i cili është institucioni tjetër që ka në dorë të ndikojë në pjesë të rëndësishme të sistemit të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë, do të humbasë një pjesë thelbësore të aftësisë për të kontrolluar këto struktura.

Një praktikë e emërimit të personave në postet kyçe në institucionet e pavarura “me negocim” mes palëve politike, praktikë e nisur në vitin 2003, synohet të shkatërrohet përmes komplikimit të procedurave parapërzgjedhëse të kandidatëve të propozuar për postet kyçe.

Fenomeni aktual i kontrollit të sistemit të drejtësisë nga vetë trupa e gjykatësve, të cilët kanë shumicën në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, synohet të luftohet duke e vendosur institucionin zëvendësues të KLD-së nën drejtimin e një anëtari jo-gjykatës.

Konflikti i dukshëm i interesit mes politikës dhe Gjykatës së Lartë, i cili aktualisht besohet se ka ndaluar dënimin e politikanëve të akuzuar për korrupsion, pritet të luftohet njëkohësisht përmes heqjes së varësisë së Gjykatës së Lartë nga parlamenti dhe heqjes së monopolit të gjykimit të zyrtarëve të lartë nga Gjykata e Lartë.

Pavarësia politike do të blindohet më tej me heqjen e të drejtës për t’u zgjedhur në institucionet e drejtësisë, të të gjithë personave që në dhjetë vitet e fundit kanë pasur një pozicion politik në administratën publike apo një pozicion drejtues në partitë politike. Gjithsesi është e paqartë se çfarë kuptohet me “pozicion drejtues” në partitë politike.

Ky distancim i mëtejshëm i sistemit gjyqësor nga institucionet politike si parlamenti, apo institucioni i presidentit (i cili teorikisht duhet të jetë jopolitik dhe praktikisht nuk është), do të kompensohet me heqjen e pjesës dërrmuese të imunitetit që gëzohet aktualisht nga gjykatësit ndaj përndjekjes administrative apo penale.

Depolitizimi i Gjykatës Kushtetuese

Aktualisht Gjykata Kushtetuese përbëhet nga nëntë anëtarë të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit. Teorikisht, kushtetuta aktuale ia ka dhënë këtë detyrë presidentit të republikës që ai të zgjedhë me vullnet të mirë, më të mirët mes juristëve të vendit për këto poste të larta. Paanësia politike e këtyre gjykatësve Praktikisht, përgjatë 25 viteve të fundit, gjërat kanë ndodhur shumë ndryshe. Përgjithësisht, presidentët e republikës janë detyruar që të “mirëkuptohen” me partitë politike parlamentare për kandidatët e emëruar si gjykatës kushtetues. Pas vitit 2003, në përgjithësi, partitë politike janë mirëkuptuar me njëra-tjetrën duke ndarë postet vakante në Gjykatën Kushtetuese (si dhe në institucionet e tjera “të pavarura”) me pazare mes tyre. Në rast se kishte dy vende vakante, parimi ka qenë që një kandidat të zgjidhej nga njëra parti dhe një tjetër nga partia tjetër. Kjo praktikë në thelb krijoi institucione bipartizane dhe jo institucione të pavarura.

Gjykata Kushtetuese është kritikuar përgjatë dy dekadave të fundit për disa vendime të saj thellësisht të dyshimta, të cilat, i kanë shkuar për shtat partive politike duke shkatërruar besimin te vetë gjykata si dhe te mënyra aktuale e përzgjedhjes. Rasti më flagrant ka qenë keqpërdorimi i Gjykatës Kushtetuese në zgjedhjet e vitit 2001, kohë kur kjo gjykatë kishte autoritetin si shqyrtuese ekskluzive e mosmarrëveshjeve zgjedhore. Me këtë autoritet, Gjykata Kushtetuese përcaktoi 30 për qind të fituesve mes deputetëve të dala nga zgjedhjet e manipuluara të vitit 2001, duke favorizuar qeverinë. Raporti final i OSBE për ato zgjedhje thotë se “Gjykata Kushtetuese dhe në disa raste, gjykata të tjera, nuk zbatuan standardet në mënyrë konsistente, duke treguar anësi në favor të partisë në pushtet”.

Kjo qe e thënë me delikatesë, pasi në praktikë, Gjykata Kushtetuese tregoi aq shumë anësi në atë kohë, sa me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe me marrëveshjen politike PS-PD të vitit 2003, Gjykatës Kushtetuese iu hoq detyra e shqyrtimit të mosmarrëveshjeve zgjedhore dhe për këto çështje u krijua një trupë gjykatësish pranë Gjykatës së Apelit. (Situata nuk është se u përmirësua pas kësaj).

Për shkak të dështimit të formulës aktuale të zgjedhjes së gjykatësve më të lartë në vend si dhe për shkak të dështimit të presidentëve për të krijuar institucione të pavarura, ndryshimet kushtetuese të propozuara si pjesë e reformës në drejtësi, sanksionojnë që një e treta e nëntë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen nga Gjykata e Lartë dhe Gjykata e Lartë Administrative, ndërsa presidenti dhe parlamenti do të zgjedhin nga tre anëtarë. Por presidenti nuk do të ketë më diskrecion të plotë për të zgjedhur anëtarët e gjykatës kushtetuese, pasi atij do t’i duhet të zgjedhë nga një listë me kandidatë e parapërgatitur nga një institucion i ri që do të krijohet dhe që do të quhet “Këshilli i Emërimeve në Drejtësi” (KED). Edhe Kuvendi do të duhet të zgjedhë mes listës me kandidatë të hartuar nga KED dhe nuk do të ketë diskrecion të plotë për të zgjedhur këdo që dëshiron. Pavarësia politike rreket të sigurohet përmes përcaktimit në kushtetutë që anëtarët e gjykatës kushtetuese nuk duhet të kenë pasur aktivitet politik për së paku dhjetë vjet para emërimit. Me aktivitet politik nënkuptohet të pasurit të një posti publik politik, si psh. ministër apo deputet apo të qenit funksionar partiak i nivelit të lartë.

Bie imuniteti i anëtarit të Gjykatës Kushtetuese

Projekti i ri kushtetues duket se synon të balancojë çlirimin e Gjykatës Kushtetuese nga varësia e drejtpërdrejtë politike me humbjen e imunitetit që kryegjykatësit gëzojnë me kushtetutën aktuale. Ndërsa kushtetuta aktuale jep imunitet të gjerë, përfshirë ndalimin eksplicit të kontrollit të banesës apo komunikimeve të kryegjykatësve dhe lejon arrestimin e tij vetëm në kushtet e flagrancës për një krim të rëndë, ndryshimet parashikojnë ndëshkim të gjykatësve në rast të dhënies së një vendimi të paligjshëm, ndërsa paragrafët që garantojnë paprekshmërinë e banesës janë fshirë. Procedura e ndëshkimit të gjykatësve dhe shkarkimit të tyre është ndryshuar gjithashtu. (Neni 128 i kushtetutës). Aktualisht, është Kuvendi ai që duhet të shkarkojë një gjykatës kushtetues me dy të tretat e votave ndërsa me ndryshimet, procedura e ndëshkimit dhe shkarkimit i ngarkohet vetë Gjykatës Kushtetuese. Pra Gjykata Kushtetuese ngarkohet me detyrën e ndëshkimit të një anëtari të vet përmes një procedimi disiplinor.

Në një ndryshim tjetër, subjektet që kanë të drejtë t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese shtohen, me përfshirjen në këtë listë të komisionerëve të ndryshëm që janë krijuar gjatë viteve të fundit për çështje specifike, si komisioneri i mbrojtjes kundër diskriminimit etj.

Ikën varësia politike edhe te Gjykata e Lartë

Gjykata e Lartë aktualisht sipas kushtetutës përbëhet nga gjykatës që emërohen nga Presidenti i Republikës me miratimin e Kuvendit. Ashtu si me gjykatën kushtetuese, por me pasoja edhe më të rënda, përgjatë dekadës së fundit, palët politike në Kuvendin e Shqipërisë i kanë imponuar presidentëve të parapëlqyerit e tyre përmes bllokimit të dekreteve presidenciale të emërimit të gjykatësve të lartë apo refuzimit të këtyre dekreteve. Problemi është rënduar për shkak se gjykatësit e Gjykatës së Lartë, megjithëse të zgjedhur politikisht nga Kuvendi, kanë pasur deri tani ekskluzivitetin ligjor të gjykimit të çështjeve kundër deputetëve dhe ministrave. Ekzistenca e kësaj varësie të ndërsjelltë nga politikanët te Gjykata e Lartë besohet se është faktori kyç i mosndëshkimit të politikanëve për korrupsion. Në vendimet e saj kontroversiale, Gjykata e Lartë ka zgjedhur të mbyllë sytë në shumë raste, apo të dënohë politikanët e opozitës në disa raste. Vendimi më kontroversial ka qenë deklarimi i videos së bisedës Meta-Prifti joekzistente si provë në vitin 2012, kohë kur Meta u shpall i pafajshëm për akuzat e ngritura nga kjo video.

Ndryshimet e propozuara kushtetuese (neni 136) ia heq Kuvendit të Shqipërisë rolin e “pëlqyesit” të kandidaturave të emëruara nga presidenti, ndërsa ia heq presidentit diskrecionin në përzgjedhje. Anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës së Lartë Administrative do të emërohen nga Presidenti me propozim të Këshillit të Lartë Gjyqësor, (institucioni zëvendësues i Këshillit të Lartë të Drejtësisë aktualisht). Shkurt, roli i Kuvendit të Shqipërisë në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë zëvendësohet nga Këshilli i lartë Gjyqësor.

Jo të gjithë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj të Gjykatës së Lartë Administrative do të vijnë nga rradhët e vetë sistemit gjyqësor. Ndryshimet kushtetuese parashikojnë që një e pesta e anëtarëve të Gjykatës së Lartë “mundet” të jenë nga juristë jogjykatës. Edhe për gjykatësit e lartë sanksionohen kriteret e paanësisë politike të gjykatësve kushtetues.

Imuniteti i gjykatësve të lartë zbutet ndjeshëm ndaj standardeve të kushtetutës aktuale, por propozimet e reja parashikojnë që procedurat disiplinore “parashikohen me ligj”, pra janë në varësi të ndryshimeve ligjore që do të duhet të kryhen në rast se reforma kushtetuese miratohet. Edhe këtu, procedurat e shkarkimit i janë hequr Kuvendit të Shqipërisë, i cili e ka këtë funksion sipas kushtetutës aktuale dhe i është transferuar Këshillit të Lartë Gjyqësor.

Gjykatës së Lartë i hiqet funksion aktual rishikues i vendimeve të gjykatave të mëparshme dhe i lihet vetëm funksioni i njëjësimit të praktikës gjyqësore.

Kontroll nga brenda në Këshillin e Lartë Gjyqësor

Pika më kritike e reformës së propozuar ka të bëjë me institucionin zëvendësues Këshillit të Lartë të Drejtësisë, institucionit që aktualisht ka funksionin e emërimit dhe ndëshkimit të gjykatësve. (Neni 147). Kushtetuta aktuale sanksionon që Këshilli i Lartë i Drejtësisë përbëhet nga nëntë gjykatës, 3 anëtarë të zgjedhur nga Kuvendi, nga Ministri i Drejtësisë dhe nga Presidenti i Republikës, i cili është automatikisht kryetar i KLD-së. Sipas propozimeve, institucioni i ri do të përbëhet nga 11 gjykatës dhe 5 juristë jo-gjykatës, ku këta të fundit emërohen nga Kuvendi. Për të zgjidhur problemin e shijeve politike të Kuvendit të Shqipërisë, sanksionohet që të pesë anëtarët jo-gjykatës të përzgjidhen veçmas, njëri nga rradhët e avokatëve, njëri nga noterët, njëri nga pedagogët e Drejtësisë, njëri nga shkolla e magjistraturës dhe njëri nga shoqëria civile. Institucioni i ardhshëm nuk do të ndryshojë shumë nga ai aktuali në kuptimin që në shumicën dërrmuese, do të përbëhet nga gjykatës, të cilët, do të duhet të emërojnë dhe shkarkojnë gjykatës. Si një masë balancuese, propozimet kushtetuese sanksionojnë që kryetari i KLGJ-së të zgjidhet nga vetë KLGJ nga anëtarët jo-gjykatës.

Për të hequr rrezikun e konfliktit të interesit mes ndëshkimit të gjykatësve dhe dëshirës për rizgjedhje, duket se hartuesit e ndryshimeve kushtetuese kanë kopjuar një praktikë gjermane, e cila e heq këtë rrezik duke mos dhënë të drejtë rizgjedhjeje për postet e institucioneve të pavarura.

Nga sistemi aktual, në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, humbasin funksionet kushtetuese presidenti dhe ministri i drejtësisë. Në përgjithësi, ndryshimet kushtetuese rreken t’i japin fund varësisë politike në sistemin e drejtësisë duke luftuar aftësinë e politikanëve për të zgjedhur anëtarë të KLD-së sipas dëshirës.

KLD është akuzuar gjatë dekadës së fundit për krijimin e kulturës së pandëshkueshmërisë së gjykatësve pavarësisht se çfarë kanë bërë gjykatësit si dhe është akuzuar gjithashtu për krijimin e një sistemi shitje-blerjeje të posteve të punës si gjykatës përkundrejt pagesave të përfolura deri në 300 mijë euro. Formula e re nuk përbën garanci automatike për ndërprerjen e shit-blerjeve të posteve të gjykatësve dhe as për ndëshkimin e gjykatësve.

Anëtarët e KLGJ-së do të mund të ndëshkohen nga një institucion tjetër i ri kushtetues që do të quhet Tribunali Disiplinor i Drejtësisë.

Inspektori i lartë i drejtësisë

Ndryshimet kushtetuese të propozuara krijojnë një institucion të ri të quajtur Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucioni që duhet të mbledhë ankesat ndaj gjykatësve dhe prokurorëve si dhe të nisë procedimet disiplinore ndaj tyre. Ky është personi që do të duhet të zgjidhet nga kuvendi i Shqipërisë me tre të pestat dhe është një nga pikat më të debatuara të reformës pasi aludohet se maxhoranca aktuale parlamentare do të ketë mundësi të zgjedhë “inkuizitorin” e sistemit të drejtësisë. Emri i kandidatit do të duhet të furnizohet gjithashtu nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Ai do të funksionojë në bazë të rregullave dhe procedurave që do të duhet të përcaktohen më vonë me ligj të veçantë. Edhe Inspektori është i ndëshkueshëm nga institucioni i ri i njohur si Tribunali Disiplinor i Drejtësisë.

Tribunali

Institucioni që do të ketë për detyrë të ndëshkojë drejtuesit më të lartë të sistemit të drejtësisë do të quhet Tribunali Disiplinor i Drejtësisë. Ai do të përbëhet nga shtatë anëtarë, dy prej të cilëve do të jenë kryetarët e gjykatës së lartë dhe gjykatës së lartë administrative, katër të tjerë do të përzgjidhen nga radhët e gjykatësve të lartë dhe të lartë administrativ dhe njëri do të jetë nga prokurorët./BIRN/

SHKARKO APP