Gjyqet e demokratëve, nga Berisha te Salianji

SPAK i ka dhënë vetes edhe një muaj kohë për të qepur dhe depozituar në gjykatë dosjen “Partizani” me të pandehur ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe katër të tjerë. Në një kohë që afati i hetimit skadonte më 2 tetor, ndërsa mbyllja e hetimeve iu komunikua me herët të pandehurve, SPAK ka njoftuar mbrojtësit e tyre për një shtyrje të re.

Përmes këtij afati, prokurorët do të njihen edhe me materialet voluminoze të paraqitura nga avokatët për kundërshti mbi hetimin e bërë nga SPAK. Nga ana tjetër, pavarësisht afatit të ri, prokurorët mund t’i drejtohen më shpejt gjykatës me kërkesën për gjykimin e ish-kryeministrit Berisha, dhëndrit të tij, Jamarbërn Malltezi, biznesmenit Fatmir Bektashi dhe dy të tjerëve për akuza të “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”, kërkesë që do të shqyrtohet nga gjyqtari paraprak.

Në një tjetër gjykatë, Ervin Salianji shtoi argumentet për kërkesën e tij për pezullim të dënimit me burg. Përmes avokatit të tij, Ledio Braho, deputeti Salianji depozitoi në Gjykatën e Lartë material shtesë për kërkesën e paraqitur më 1 tetor, pak ditë pasi u dërgua në burgun e Fierit.

Duke bërë një qasje me rastin e deputetes së PS, Olta Xhaccka, avokati vinte në dukje një diskriminim të Salianjit në praktikën e ndërprerjes së mandatit për shkak të përkatësisë së tij politilke. Sipas avokatit, në rastin e deputetes Olta Xhaçka, deputete e shumicës parlamentare, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë refuzon ekzekutimin e dy vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese.

Në rastin e kërkuesit Ervin Salianji, deputet i pakicës parlamentare, i dënuar me vendim të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm (i paarsyetuar ende), Kuvendi i Shqipërisë, vetëm nëpërmjet leximit të dispozitivit të vendimit të gjykatës, ka konstatuar përfundimin e mandatit të deputetit. Në Gjykatën e Lartë kërkesa e Salianjit për pezullim të dënimit me burg është caktuar të zhvillohet më 15 tetor.

SHKARKO APP