Gjyqi ndaj Salianjit ”në vend”, avokati i Xhafajt ngre dyshime

Gjykata e Apelit të Përgjithshëm regjistroi një tjetër seancë të dështuar në procesin ndaj Ervin Salianjit, i pandehur në çështjen “Babalja”. Deputeti kundërshton dënimin me 1 vit burg dhënë nga Shkalla e Parë për akuzën e “kallëzimit të rremë”, por kur ka kaluar më shumë se një vit nga nisja e gjyqit, procesi ka mbetur në vend numëro.

Këtë të premte shkak i shtyrjes u bë ndryshimi i avokatit mbrojtës të Salianjit dhe kërkesa e tyre për t’u njohur me aktet e dosjes. Në sallën ku nuk ishte prezent deputeti, si përfaqësues i tij nuk ishte avokati Ledio Braho, por avokatët Marash Logu dhe Redi Ramaj. Mbrojtësit e rinj pretenduan se ishin kontraktuar një ditë më parë nga deputeti dhe se nuk ishin njohur me dosjen.

Ndonëse një e drejtë e ligjshme e çdo të pandehuri, ndryshimi i avokatëve u konsiderua si një strategji për zvarritje të gjykimit nga avokati i palës së dëmtuar në këtë gjykim, Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj. “Shtyje ta shtyjmë u bë ky gjyq”, tha avokati Ardian Vishaj, që edhe në seancat e kaluara ka shfaqur shqetësim për mosvijimin normal të gjyqit, seanca që janë shtyrë kryesisht për mungesë të avokatëve.

Dënimi që kundërshton në Apel deputeti Salianji u shpall në Shkallën e Parë në dhjetor 2019. Sipas gjykatës së Tiranës, Salianjo dhe gazetari Jetmir Olldashi, i dënuar me 100 orë punë në interes të publikut, kanë inskenuar një audio-përgjim dhe akuza të rreme ndaj vëllait të ish-ministrit të brendshëm, Fatmir Xhafaj.

SHKARKO APP