Gjyqi për Gërdecin, seanca e radhës më 9 nëntor. Ish-ushtaraku: Predhat e municionet e rrezikshme i hiqnim me dorë
Seanca e radhës për gjyqin e ”Gërdecit” është shtyrë më 9 nëntor. Në seancën e radhës do të vijohet me listën e dëshmitarëve të thirrur nga SPAK. Gjykata ka pranuar kërkesën e SPAK për të thirrur si dëshmitar 72 persona, mes tyre Aldo Bumçin dhe Shkëlzen Berishën.
Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu ishte një nga të akuzuarit për shpërdorim detyre për ngjarjen e vitit 2008 ku Shqipëria u trondit nga shpërthimi i një depoje të armëve ushtarake në Gërdec, në afërsi të Tiranës.
Ish-ushtaraku Zabit Çuku ishte dëshmitari i radhës që u pyet këtë të premte në gjykatë. Ai tha se kishte punuar në fabrikë nga janari i vitit 2008 duke pasur në varësi katër punëtorë. Sipas tij, në vendin ku bëhej demontimi ditën e ngjarjes kishte sasi të madhe baruti.
Dëshmitari pohoi se ditën e shpërthimit, ka parë flakën e madhe dhe një shtëllunge tymi dhe është larguar me vrap bashkë me punëtorët. Më pas i kishin thënë se flaka doli nga thesi i barutit që ishte mbi karrocë. I pyetur nëse dinte për saldimin e karrocës në fjalë, ai tha se nuk kishte dijeni.