Gjyqi për Veliajn në GJKKO, avokati Ndreca: Do shihet drejtësia në raport me standardet europiane
Avokati mbrojtës i Erion Veliajt, Plarent Ndreca thotë se ka vendosur të marrë përsipër këtë çështje për shkak të njohjes personale me kryebashkiakun, ndërsa shtoi se kjo dosje është sfiduese jo vetëm për të, por edhe për drejtësinë. Sipas tij Veliaj po mbahet në burg padrejtësisht, duke i mohuar atij të drejtën për të folur dhe për të ushtruar profesionin. Për të kjo dosje është shumë sfiduese dhe është një rast që tregon deformim të sistemit të drejtësisë.
“E para, nuk mund të them që ishte një seancë tejet e tensionuar, por me debate profesionale. Por, ashtu siç duhet të jetë një seancë e atij niveli, është e natyrshme të ketë debate. Arsyeja pse vendosa ta marr përsipër, është fakti i njohjes personale me Veliajn, qoftë për faktin se kemi një detyrim edhe politik për shkak të kontributeve të shquara të Veliajt në bashki, ose ajo që është më e rëndësishme.
Si një profesionist i cili ka detyrim profesional që të përballet me çështje të kësaj natyre, që janë përfaqësuese të një deformimi të thellë të sistemit të drejtësisë dhe ky është një rast tipik; profesionistët duhet të jenë në ballë të këtyre proceseve. Është një detyrim profesional për të qenë pranë mikut tim. Është një dosje sfiduese për mua dhe vetë drejtësinë. Ky është një nga ato rastet që do tregojnë se si do sillet drejtësia në raport me standardet europiane që ne kërkojmë si vend.
Më e rëndësishmja është fakti që po mbahet në arrest me burg pa afat, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e rikonfirmoi në detyrë. Rrezikshmëria për të prishur provat është afër zeros. Mbajtja e tij në arrest në mënyrë kokëfortë duket sikur është një taktikë për të mos e liruar dhe për mos t’i dhënë zë, t’i heqin të drejtën për të folur dhe për të ushtruar detyrën e tij”, u shpreh Ndreca.
KOHA JONË SONDAZH

