Gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kaluan Vetting-un, nxitojnë të licencohen si avokatë
Jo të gjithë e kanë kaluar apo do ta kalojnë Vetting-un. Ndaj dhe shumë ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë po ushtrojnë profesionin e avokatit. Një pjesë është licencuar përpara shkarkimit, ndërsa pjesa tjetër është duke e marrë atë, ndonëse është shkarkuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit.
Procesi i Vetting-ut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili synon të nxjerrë jashtë sistemit të drejtësisë ata që kanë probleme me korrupsionin, deklarimin e pasurisë apo aftësitë profesionale, është vlerësuar si hapi kryesor për zbatimin e Reformës në Drejtësi.
Ndue Pjetra, kreu i Shoqatës së Avokatëve Antikorrupsion, thotë se pjesa më e madhe e tyre e kanë menduar si kartë rezervë licencën e avokatit, duke e marrë atë përpara se të dalin në bankën e Vetting-ut.
Po ashtu edhe Shoqata e Avokatëve Antikorrupsion i ka kërkuar zyrtarisht Ministrisë së Drejtësisë dhe Dhomës Kombëtare të Avokatisë, të marrë masa të menjëhershme që ish-prokurorë dhe gjyqtarë të larguar nga vettingu, të mos lejohet të bëhen pjesë e sistemit të avokatisë.