Gjyqtari Fatmir Hoxha me një apartament 140 mije euro
Në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u zhvillua sot seanca dëgjimore për vlerësimin e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatmir Hoxha.
Vetë gjyqtari nuk ishte i pranishëm por përfaqësohej nga avokati Julian Mertiri.
Trupa gjykuese përbëhet nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Alma Faskaj.
Procesi i vlerësimit të gjyqtarit do të mbështetet në tre kritere: Pasuria, rivlerësimi i figurës, dhe integriteti profesional
Relatorja Alma Faskaj tha se gjyqtari Fatmir Hoxha iu nënshtrua procesit me përparësi.
“Në lidhje me pasurinë ILDKPKI ka vlerësuar se deklarimi është i saktë. Fatmir Hoxha nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk ka fshehur pasurinë. Ka një apartament banimi 2+1 në Tiranë me vlerë 140 mijë e 450 euro. Në lidhje me kontrollin e figurës DSIK ka konstatuar përshtatshmërinë për vijimin e detyrës. Në lidhje me kontrollin profesional KLD ka vlerësuar se ka aftësi ligjore dhe kushtetuese” – theksoi Faskaj.
Seanca e radhës për Fatmir Hoxhën do të zhvillohet në 10 maj në orën 11:00.
Fatmir Hoxha është anëtari i 4 i Gjykatës Kushtetuese që përballet me procesin e vetingut pas Fatos Lulos, Vitore Tushës dhe Altina Xhoxhajt.
Zyrtarisht Gjykata Kushtetuese ka hyrë në kolaps pas vendimit të KPK për shkarkimin e anëtarës Altina Xhoxhaj. Kuorumi prej anëtarësh është i pamjaftueshëm për zhvillimin e seancave gjyqësore dhe për shpalljen e vendimeve në Gjykatën Kushtetuese.
KOHA JONË SONDAZH

