Gledis Nano pret drejtorin maqedonas të Byrosë së Sigurisë Publike: Prioritet thellimi i marrëdhënieve mes dy vendeve

Drejtori i Përgjithshëm i Byrosë së Sigurisë Publike të Maqedonisë së Veriut, Sasho Tasevski, u prit këtë të martë në një takim nga kryepolici Gledis Nano. Të dy krerët e policive zhvilluan një takim kokë më kokë. Gjatë takimit zyrtar ndërmjet dy delegacioneve u diskutua për thellimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit mes dy vendeve, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, pastrimit të parave dhe terrorizmit. Kreu i Policisë së Shtetit, Nano tha se prioritet mbetet thellimi i marrëdhënieve dypalëshe.

“Bashkëpunimi ynë ka qenë i ngushtë, si për çështje operacionale ashtu edhe për elemente të tjera të luftës së përbashkët kundër krimit, andaj ky takim veçse do ta forcojë më tej atë. Në misionin tonë në krye të policive të të dy shteteve, ne ndajmë të njëjtat aspirata dhe qëllime, si lufta pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, krimeve të rënda, terrorizmit dhe pastrimit të parave, që janë indikatorë me shumë rëndësi për sigurinë në vend.

Për ne si Policia e Shtetit shqiptar ka qenë dhe mbetet prioritet gjithashtu lufta ndaj trafikimit të lëndëve narkotike. Për këtë qëllim ne kemi përqëndruar dhe forcuar më tej, kapacitetet tona logjistike dhe burimet njerëzore në Portin e Durrësit, që është edhe vendi ku kemi goditur më shumë tentativa të trafikimit të lëndëve narkotike, të ardhura nga Amerika Latine.

Një tjetër prioritet për Policinë e Shtetit është parandalimi dhe goditja e tentativave për kultivim të kanabisit, aktivitet kriminal i cili pasuron grupet kriminale, edhe individët, duke u dhënë atyre një instrument të fuqishëm korruptiv. Gjithashtu, shtrirja e aktiviteteve të ndryshme kriminale në disa shtete apo prania e autorëve në disa shtete, na ngarkon me përgjegjësi për të bashkëpunuar më tej dhe më ngushtë, për të garantuar rend dhe siguri për qytetarët tanë, përmes shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe pasjes së një shërbimi policor kufitar serioz dhe me integritet, dhe jam i bindur që ne e kemi vullnetin për ta bërë këtë”,-tha Nano.

 

SHKARKO APP