Gledis Nano takim me homologun italian: Kemi krijuar strategji konkrete e të frytshme për të dy vendet
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, mirëpriti sot Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit të Italisë, Lamberto Giannini, i cili erdhi në Shqipëri në kuadër të Deklaratës së Mirëkuptimit të nënshkruar mes dy palëve, për ngritjen e Tryezave të Përbashkëta Teknike mes Drejtuesve të Lartë të policive të të dy vendeve. Giannini e vlerësoi takimin si të frytshëm, teksa theksoi se është arritur të përvijohet edhe strategji konkrete shumë të frytshme për të dy vendet.
”Patëm rastin të diskutojmë për çështje nga më të ndryshmet, që janë me interes të përbashkët dhe që lidhen me luftën ndaj kultivimit të lëndëve narkotike, luftën ndaj terrorizmit, ndaj organizatave kriminale, gjithashtu edhe me luftën ndaj fenomeneve të radikalizimit. Ne kemi arritur gjithashtu të përvijojmë edhe strategji konkrete shumë të frytshme për të dy vendet”, tha ai.
Kreu i Policisë së Shtetit, Gledis Nano tha se tryeza të tilla janë të domosdoshme pasi shmangin burokracitë, duke lejuar një bashkëveprim dhe bashkërendim të veprimeve dhe shkëmbim të informacionit dhe hetimeve kundër aktiviteteve të paligjshme.
”Diskutuam për disa çështje me interes të përbashkët, lidhur me krimin e organizuar, krimet e rënda, trafikun e paligjshëm dhe kontrabandimin e emigrantëve, po kështu edhe disa çështje që lidhen me terrorizmin dhe radikalizmin. Dua të them që takime të tilla janë të domosdomshme dhe janë shumë të dobishme, jo vetëm në nivelin drejtues të të dy policive, por edhe në nivelin teknik, duke shmangur kështu burokracitë dhe duke lejuar një bashkëveprim dhe bashkërendim të veprimeve dhe shkëmbim të informacionit dhe hetimeve tona të përbashkëta kundër aktiviteteve të paligjshme. Dua ta siguroj për vendosmërinë që Policia shqiptare ka për të vazhduar bashkëpunimin me të gjithë partnerët ndërkombëtarë, në luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, tha Nano.