Gledis Nano takon Presidentin e ri të Interpolit
Drejtori i Policisë së Shtetit, Gledis Nano ka marrë pjesë në zgjedhjen e Presidentit të ri të Interpolit në Stamboll. President i ri i Interpolit është zgjedhur Ahmed Nasser Al-Raisi, i cili më parë mbante postin e Sekretarit mbi Sigurinë në Policinë e Emirateve të Bashkuara Arabe.
“Në datat 22-25 nëntor, në Stamboll u zhvillua Asambleja e Përgjithshme e Interpolit, Sesioni i 89 i saj, në të cilën po merr pjesë një delegacion i Policisë shqiptare, i kryesuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Gledis Nano”, njofton Policia e Shtetit.
Nano gjatë takimit me Presidentin e Ri të Interpolit ka konfirmuar vijimin e bashkëpunimit dhe përmirësimin akoma më tej të marrëdhënieve mes Interpolit dhe Policisë së Shtetit.
Nano gjithashtu ka siguruar Presidentin e ri se Policia e Shtetit është e fokusuar në drejtim të zbatimit të ligjit dhe është e angazhuar maksimalisht për të bashkëpunuar ngushtësisht me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.
Presidenti Al-Raisi ka përgëzuar Drejtor Nanon, për filozofinë që ka në drejtimin e Policisë së Shtetit, si dhe për angazhimin e tij personal për të punuar bashkërisht, me qëllim goditjen e krimit të organizuar, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Gjatë Asamblesë, Nano zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme, me homologët, në interes të forcimit të bashkëpunimit të Policisë së Shtetit me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare.