”Global Voices”: Hera e parë që parlamentin e sundon një parti që nga ’92-shi
”Global Voices”, një komunitet ndërkombëtar dhe shumëgjuhësh i blogerëve, gazetarëve, përkthyesve, akademikëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut i kanë dedikuar një shkrim situatës politike në Shqipëri. Duke komentuar vendimin e opozitës për të dalë nga parlamenti, pas publikimit të përgjimeve nga VOA dhe BIRN, lidhur me shitblerjen e votave nga ana e partisë në pushtet, ”Global Voices” thekson se demokracia shqiptare është në rrezik dhe varet nga reagimi i mazhorancës për zgjidhjen e krizës. Ajo thekson se vendi është në një situatë të vështirë ekonomike dhe për herë të parë që nga rënia e komunizmi, parlamenti po sundohet vetëm nga një parti e vetme.
Shkrimi i plotë
Mijëra shqiptarë morën pjesë në një protestë të udhëhequr nga opozita më 21 shkurt në kryeqytetin e Tiranës. Ata kërkojnë zgjedhje të parakohshme pas publikimit të përgjimeve nga Zëri i Amerikës dhe Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese se zyrtarët qeveritarë dyshohen se kanë bashkëpunuar me bandat kriminale në një skemë blerje votash në zgjedhjet e vitit 2017.
Tubimi u mbyll me djegien e mandateve nga 53 ligjvënës të opozitës të koalicionit të krahut të djathtë midis Partisë Demokratike dhe Partisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas anulimit edhe të seancës plenare të parashikuar për atë ditë, deputetët u bashkuan me protestat ku mbajtën fjalime që denonconin skemën e blerjes së votave nga ana e qeverisë. Ata kanë deklaruar se po heqin dorë nga mandatet e tyre “në emër të shqiptarëve dhe të bëhen qytetarë të thjeshtë”.
BE dhe fuqitë e tjera perëndimore kritikuan vendimin e ligjvënësve. Shqipëria e anëtarësuar në NATO synon të fillojë negociatat e plota për anëtarësimin në BE në 2019.
Historia e VOA dhe e BIRN-it i shtuan “flakët” e një marrëdhënieje tashmë të krisur midis qeverisë dhe opozitës. Partia Socialiste mori detyrën në 2013 me një shumicë parlamentare, e cila lejoi që ajo të kalonte reforma gjithëpërfshirëse duke përfshirë një sistem gjyqësor që është kyç për integrimin e Shqipërisë në BE.
Deri më tani, Zyra e Prokurorisë së Shqipërisë nuk ka paraqitur hetime formale pas pretendimeve të VoA dhe BIRN.
Tubimi i 21 shkurtit ishte një nga më të mëdhenjtë i organizuar në Shqipëri që nga vitet 1990, e pasuar nga një demonstratë masive më 16 shkurt, e cila kishte akte të vogla dhune dhe përplasje me policinë, e cila iu përgjigj me gaz lotsjellës. Ndërsa protesta e 21 shkurtit ishte e qetë, autoritetet bllokuan sinjalet e internetit dhe sinjalet telefonike për disa orë, duke penguar gazetarët që të transmetonin drejtpërdrejt ngjarjen.
Nëse opozita vendos të shtyjë përpara me bojkotin, do të jetë hera e parë që nga rënia e komunizmit në 1992 që Shqipëria do të ketë një parlament të sunduar nga një parti e vetme.
Shumë aktivistë dhe analistë pohojnë se demokracia e Shqipërisë është zmbrapsur që nga rishikimi i vitit 2008 i Kodit Zgjedhor, i cili ka shkëmbyer sistemin zgjedhor në rajonal proporcional, e njëkohësisht ka tkurrur 40 zonat e elektoratit në vetëm 12. Partitë më të mëdha përfituan nga sistemi dhe kritikët pretendojnë se procedura legjislative që buroi nga direktiva e re është kryer në mënyrë jo transparente.
Apatia politike është gjithashtu e përhapur në Shqipëri: anketat raportojnë se 62 përqind e qytetarëve nuk u besojnë partive aktuale politike. Një studim ka treguar se papunësia e të rinjve në Shqipëri është më e larta në Evropë dhe se një në çdo dy shqiptarë dëshiron të emigrojë në vendet më të pasura.
Ndërsa opozita shqiptare përparon në një territor të paeksploruar, mbetet të shihet nëse shumica do të reagojë në mënyrë konstruktive për të zgjidhur bllokimin./Politiko.al/
KOHA JONË SONDAZH

