Glover për zgjedhjet: Vullneti politik kyç, por nuk përkthehet dot në ligj

Brenda 10 javëve të ardhshme, ODIHR pritet të përmbyllë raportimin mbi monitorimin e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit në Shqipëri. Shefja e këtij misioni, Audrey Glover, gjatë një takimi me Presidentin Nishani vuri në dukje se vullneti politik mbetet kyç në këtë proces, ndërkohë që ai mbetet i pakodifikueshëm në legjislacion.  Ajo bëri me dije se bashkë me ekipin monitorues do të reflektojnë në raport edhe rekomandimet për përmirësimin e mëtejshëm të proceseve të ardhshme zgjedhore në Shqipëri. Nishani foli rreth rëndësisë që patën këto zgjedhje në Shqipëri, në kontekstin e hartës së re administrative dhe përgjegjësive të reja që pritet të marrin drejtuesit e rinj të Bashkive në vend. Kreu i Shtetit theksoi se zgjedhjet mbeten një test i përhershëm i maturimit dhe funksionimit të institucioneve dhe mekanizmave zgjedhore, klasës politike por edhe të përgjegjësisë dhe përgjegjshmërisë qytetare. Duke bashkëndarë vlerësimet dhe shqetësimet e ekipit të monitorimit të ODIHR, të reflektuara edhe në raportin e ndërmjetëm të bërë publik, Presidenti Nishani sugjeroi disa rekomandime për t’u marrë parasysh në interesin më të mirë publik, duke shpresuar se adresimi në kohë i tyre do të kontribuojë më tej në përmirësimin e kulturës politike në Shqipëri.
Reforma në drejtësi, ndëshkim me të njëjtin standard të elementeve që prishin sistemin
Po sot Nishani priti në takim edhe bashkëraportuesit për Shqipërinë në Këshillin e Evropës, Jonathan Evans dhe Andrej Hunko. Gjatë takimit u diskutua lidhur me zhvillimet në reformat kyçe, të evidentuara edhe në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë në fund të 2014.

 

SHKARKO APP