Goci kritikon opozitën për dosjen e Ballukut: Duhet më shumë veprim dhe denoncim publik
Aktivisti dhe pedagogu Ervin Goci flet për qëndrimin e Partisë Demokratike dhe opozitës lidhur me hetimet e SPAK dhe çështjen që përfshin ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Për të një parti politike ka hapësirë dhe mundësi veprimi për të ndërmarrë nisma denoncuese pa pasur nevojë për shumë procedura, ndërsa kritikoi opozitën se, sipas tij, nuk ka shfrytëzuar plotësisht këtë rol.
“Ajo është denoncuar kryesisht nga gazetarët. Ju bëni luftë partiake, por nuk po bëni luftë politike”,-u shpreh ai, duke shtuar se opozita ka treguar hezitim në përballjen politike dhe institucionale. Goci theksoi se një opozitë e mirëfilltë duhet të jetë më aktive në terren dhe të zhvillojë një fushatë të gjerë denoncimi për çështje që, sipas tij, prekin interesin publik.
“Shoh merita në punë, por nuk përfaqëson 100% interesin publik siç duhet”,-tha Goci, duke nënvizuar nevojën për më shumë angazhim. Ai u ndal edhe te mënyra se si opozita trajton materialet dhe informacionet që lidhen me dosjet hetimore, duke paralajmëruar për rrezikun e keqinformimit.
“Nëse nxjerr disa citime nga dosja dhe dezinformon popullin, atëherë duhet të jesh shumë i kujdesshëm,” tha Goci, duke shtuar se materialet duhet të publikohen të plota dhe të verifikuara. Sipas tij, nëse një forcë politike e konsideron një çështje si “kauzë madhore”, atëherë duhet të jetë e gatshme të shkojë deri në kufijtë ligjorë për të bërë transparencë.
KOHA JONË SONDAZH

