Goci: Të bëhen bashkë me atë që njerëzit duan ose partitë do të skadojnë e do të dalin nga qarkullimi
Pedagogu Ervin Goci gjatë protestës së Aleancës për Teatrin tha se duhet të nisë një lëvizje dhe protestë kombëtare nën emblemën e Teatrit Kombëtar.
Goci shtoi se nëse partitë politikë nuk i artikulojnë në programet e tyre idetë dhe revoltën e Aleancës, atëherë një forcë e re politike po lind.
Ervin Goci: Na e morën Teatrin me dhunë kur ishim 300 veta, tani jemi mbi 3000. Shumë njerëz më takojnë dhe kanë një hall të madh, se çfarë është Aleanca dhe si është operimi me lëvizjet e tjera politike. Aleanca është një strukturë shoqërore. Problemi është se ne shohim kush është ky, t’i biem këtij, ndërkohë që ai bën kërdinë këtë.
Të gjithë duhet të mblidhen nën emblemën e Teatrit Kombëtar dhe të nisë një protestë kombëtare në gjithë vendin. As nuk kemi pse t’i përzëmë partitë politike nga protesta, sepse ato thonë ju flisni, ne ju dëgjojmë. Nëse këto ide dhe revoltë që ne kemi, nuk e artikulojnë në programet e tyre, një forcë e re politike po lind. Do të lindë se s’bën se nuk ka ku shkon.
Prandaj pozicionohuni, ose bëhuni bashkë me atë që njerëzit duan me shpirt, ose partitë do të skadojnë dhe do të dalin nga qarkullimi, sepse shoqëria do të ecë. Nuk ecën shoqëria me sabotime, por me progres. Ne ofendojmë Teatrin nëse bëjmë një parti me emrin e Aleancës për Teatrin.