Goditet rrjeti i drogës nga Holanda në Greqi, drejtues 43-vjeçari shqiptar
Një rrjet i trafikut të drogës nga Holanda në Athinë është goditur nga policia greke, ndërsa mediat vendase bëjnë me dije se drejtuesi i tij ishte 43-vjeçari shqiptar, rezident në Mykonos Gjergji Kapaj. Në këtë operacion janë arrestuar pesë persona, ndërsa bëhet me dije se për të kontrolluar të gjitha lëvizjet e anëtarëve të janë përdorur edhe dronët.
Sipas mediave greke, Kapaj njihej si një person i skenduar për disa ngjarje si grabitje, tentativë vrasje, arratisje nga spitali i burgut duke hapur zjarr në drejtim të policisë, armëmbajtje, drogë dhe vepra të tjera penale.
Në vitin 2015 ai ishte lënë i lirë pasi i ishte pezulluar dënimi me 25 vite, që iu ul nga 47.6 vite në total.
Gjatë operacionit të zhvilluar në fshehtësi të plotë, policia realizoi kontrolle në disa banesa në ishullin Mykonos dhe në Athinë ku u gjetën sasi të vogla lëndësh narkotike, kokainë, kanabis, metamfetaminë, materiale që përdoreshin për përgatitjen dhe paketimin e drogës, një armë zjarri dhe një kartë identiteti e falsifikuar.
Hetimet kishin nisur që në tetor 2020 kur një ankesë arriti në Departamentin e Sigurisë së Atikës në lidhje me disa shqiptarë, të cilët ishin aktivë në trafikimin e sasive të drogës, kryesisht kokainë, në Athinë dhe po përgatisnin një degë në Mykonos.
Në fund të Prillit, anëtarët e bandës realizuan blerjen dhe transportin e 3 kilogramëve kokainë prej 28,000 euro për kilogram nga Holanda dhe e transportuan duke e fshehur në një makinë, ndërsa dega e grupit në Mykonos funksiononte me “klientë të zgjedhur”.