Goditjet e SPAK-ut majtas dhe djathtas, analistët: Abuzimet janë përgjegjësi e kryetarëve
Të zgjedhurit lokal si nga PS dhe PD, po bien një nga një në rrjetën e SPAK-ut, kjo për shkak të abuzimeve me tenderat ndër vite.
Edi Rama e shkarkoi dhe e përjashtoi nga partia ish-kryebashkiakun e Lushnjes, pasi SPAK-u i vuri prangat, kurse Lulzim Basha i ndërpreu karrierën politike ish-kryebashkiakut të Pogradecit para se skandali i tij të dilte në dritë.
Në vlerësimin e analistëve pa përgjegjësi nuk janë as kryetarët e partive.
Frrok Çupi: Në vendin tonë pluralizmi është shoqëruar me kualitetet e partive familje, të interesave financiare dhe ekonomike dhe kjo ka krijuar pastaj bosët dhe ushtarët brenda partisë që shërbejnë për të grumbulluar para. Nëse nuk vënë atë gjë që bëri ai i Pogradecit dhe Lushnjes, atëherë nuk reziston.
Enton Abilekaj: Besoj se përgjegjësia kryesore është e kryetarëve të partive se kryetarët e partive i kanë vënë aty që ata të shfrytëzojnë pushtetin për të rritur partinë. Kjo është arsyeja përshembull në rastin e Pogradecit që PD ka marrrë një figurë të majtë dhe e bën kryetar Bashkie të së djathtës. E ka vënë për këtë arsye që me influencën që ka të marrë bashkinë dhe me pushtetin që ka të zgjerojnë partinë. Kjo ndodh edhe në Lushnjë që në qoftë se ti jep rezultat të mirë në zgjedhje, ti mund të bësh cfarë të duash me tenderat sepse paratë po i çon atje ku duhet.