Grabitën banesën, kapen dy nga autorët. Dy të tjerët arratisen me paratë
Një grabitje me armë ka ndodhur në një banesë në fshatin Grykë Nokë në Dibër, ku 4 persona nën kërcënimin e armës kanë arritur të marrin një shumë të konsiderueshme parash.
Autorët janë larguar me një automjet tip ‘Opel’ por Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe është vënë në ndjekje të tyre. Me të konstatuar se kanë qenë në ndjekje, autorët kanë braktisur mjetin dhe janë fshehur në malin e fshatit Shumbat.
Efektivët e policisë kanë rrethuar autorët me një perimetër të gjerë dhe kanë vijuar ndjekjen e tyre. Pas disa orësh është bërë e mundur kapja e dy 26-vjeçarëve me banim në Kukës. Ndërsa dy shtetasit e tjerë 25 dhe 20 vjeç kanë mundur të largohen duke marrë me vete edhe shumën e parave të vjedhura.
Ata janë shpallur në kërkim dhe vijon puna për kapjen e tyre.
Policia njofton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në fshatin Grykë Nokë, Dibër, dyshohet se nën kërcënimin e një arme, kanë vjedhur në banesën e shtetasit I.H, shumën prej 300.000 lekë, dhe më pas janë larguar me një automjet tip ‘Opel’.