Grabitësit e bankave, dosja shkon te Krimet e Rënda
Prokuroria e Krimeve të Rënda, përmes një materiali të shpërndarë për mediat, informon se ka çuar për gjykim dosjen e grabitësve të bankave, ku në hetim janë nëntë persona.
Në krye të bandës është ish-komandoja Admir Nikaj (Murataj) i cili do të përballet me tre akuza atë të vjedhjes së bankave më shumë se një herë, armëmbajtje pa leje në formën e grupit të strukturuar, krijimin dhe pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal.
Të tjerë janë: Dash Kupa, Ernes Kupa, Neim Avdulaj, D. M., A. Ç, Fatjon Xhyliu, Dritan Sinani dhe Aleksandër Murataj.
Grabitja e parë
Vjedhja e parë ka ndodhur në 3 dhjetor të 2015 në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas, në afësi të kryqëziomi të fshatrave Bërxullë-Domje, ku u vodhën paratë e një banke të nivelit të dytë në vend. Mekanizmi ishte i njëjtë, ai i prerjes së rrugës mjeteve shoqëruese të parave dhe sipas punonjësve të bankës u vodhën 1.8 milionë paund, 800 mijë dollarë, 200 mijë dollarë australian dhe 200 mijë dollarë kanadezë.
Grabitja e dytë
Rasti i dytë i vjedhjes do të ndodhte më 9 shkurt 2017, ku një tjetër bankë ra pre e grabitjes së grupit të strukturuar kriminal. Nga kasaforta mundën të marrin 8 thasë me para, ku rezulton se kanë qenë 2.4 milionë euro, 200 mijë dollarë dhe 260 mijë paund britanik.
Grabitja e tretë
Vjedhja e tretë do të ndodhte vetëm 4 ditë më pas, në vendin e quajtur ish Stacioni i Trenit, ku nën kërcënimin e armës u vodhën 900 mijë franga zvicerane, 800 mijë paund britanik, 16.100 euro.
Prokuroria
Sipas akteve hetimore të grumbulluara për këtë ngjarje kriminale, rezulton se autorët e vjedhjes në momentin që kanë braktisur automjetin e SHRSF Euro Gjici, të marrë në vendngjarje e kanë braktisur atë dhe janë parë duke u futur në një automjet të llojit tip minifurgon me ngjyrë të bardhë, i cili është fiksuar nga kamerat e subjekteve tregtare që ndodhen në itinerarin e rrugës që kanë përshkruar edhe autorët e ngjarjes pas vjedhjes së bankës Union. Automjeti i dyshuar në ngjarjen e datës 13.02.2015 është i llojit monovolum; ngjyrë të bardhë; i dyshuar i tipit “Peugeot Partner”, tip i vjetër, me disqe të thjeshta, pa xhama anësore. Ky automjet është i ngjashëm me automjetin që rezulton i fiksuar edhe në ngjarjet e datave 03.12.2015 dhe 09.02.2017 të hyjë në shtëpinë e të pandehurit organizator Admir Nikaj, në fshatin Prezë, ka karakteristika pothuajse të njëjta me karakteristikat e automjetit të dyshuar ne ngjarjen e datës 13.02.2015.
KOHA JONË SONDAZH

