Grabitja në Rinas, Gjykata dënon 6 autorët me 105 vite burg

Gjykata e Posaçme ka shpallur këtë të mërkurë vendimet për dënimin e të akuzuarve si pjesë e grupit kriminal që ka realizuar grabitjen në Rinas në prill të vitit 2019.

Dënimet e dhëna nga Gjykata e Posaçme

Klement Çala është dënuar me 20 vite burg
Eldi Çala është dënuar me 17 vjet burg
Oltian Veseli është dënuar me 17 vite burg
Saimir Çela është dënuar me 17 vite burg
Elton Pikli është dënuar me 17 vjet burg
Alkond Bengasi është dënuar me 17 vjet burg

Sipas gjykatës, të gjithë duhet ta vuajnë dënimin në një burg të sigurisë së lartë.

Për këtë grabitje, ku u morën miliona euro në pistën e aeroportit në prill 2019, akuzohet si pjesëmarrës dhe i shumëkërkuari i drejtësisë Talo Çela. Çela po gjykohet i veçuar nga të bashkëpandehurit e dosjes, pasi për një vit procesi ndaj tij ishte i pezulluar.

Më parë, Çela ka pretenduar se nuk ka qenë i pranishëm për shkak të një problemi shëndetësor. Për këtë grabitje u akuzua si organizator dhe kreu i grupit kriminal edhe Admir Murataj, i cili ndërroi jetë gjatë ndjekjes së grupit nga policia.

Gjithashtu ishte arrestuar dhe i akuzuar edhe Ragip Hajdini, i njohur si “daja nga Kosova”, por çështja ndaj tij u pushua pasi ndërroi jetë.

SHKARKO APP