Grabitje me bashkëpunëtorë në Cërrik, arrestohet 36-vjeçari, ndiqet penalisht i mituri 15-vjeçar
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Cërrik kanë zbardhur një rast vjedhjeje me thyerje të ndodhur në një dyqan në lagjen nr. 2, duke identifikuar dhe vënë përpara përgjegjësisë penale autorët e dyshuar.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit për vjedhjen, strukturat policore organizuan punën për kapjen e autorëve. Si rezultat i reagimit të shpejtë dhe veprimeve hetimore, u bë i mundur identifikimi i shtetasit A. M., 36 vjeç, dhe nipit të tij 15-vjeçar, si të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale.
Në përfundim të veprimeve procedurale: U arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 36 vjeç, banues në lagjen nr. 2, Cërrik, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim. Ky shtetas rezulton i dënuar më parë për të njëjtën vepër penale.
U referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për 15-vjeçarin, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Nga hetimet paraprake dyshohet se në orët e para të mëngjesit të datës 02.03.2026, 36-vjeçari dhe nipi i tij kanë thyer derën e dyqanit në pronësi të shtetasit F. H., 57 vjeç, dhe kanë marrë një shumë parash.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori për nisjen e procedimit penal ndaj shtetasit O. Z., 19 vjeç, vëllai i të miturit, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se ka pasur dijeni për ngjarjen dhe nuk e ka kallëzuar atë pranë organeve kompetente.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.
KOHA JONË SONDAZH

