Grabitjet në Korçë, policia asnjë gjurmë të autorëve
Policia e Korçës akoma nuk ka gjetur gjurmët e autorëve të tre grabitjeve në qytetin e Korçës. Grabitësit kanë dëmtuar serverat e kamerave të sigurisë. Në vendngjarje nuk janë gjetur gjurmë gishtash, pasi autorët kanë vepruar me doreza, ndërsa as rojet e bizneseve, as më tepër se 15 persona të pyetur dhe shoqëruar, nuk kanë zbuluar detaje të vlefshme për ecurinë e hetimeve.
Gjatë grabitjes së fabrikës së përpunimit të letrës, autorët e kanë zbritur kasafortën nga kati i dytë i ndërtesës në oborr dhe aty e kanë hapur me mjete të forta, pa u vënë re nga roja. Ashtu si në rastet e grabitjeve të tjera, autorët kanë dëmtuar serverat e kamerave të sigurisë të bizneseve që sulmuan, duke e vështirësuar punën e grupit hetimor.
Dy prej bizneseve të pozicionuara në periferi të qytetit dhe një tjetër në fshatin Bulgarec u janë grabitur shuma të konsiderueshme monetare. Grabitësit kanë vepruar me qetësi brenda bizneseve, duke përvetësuar shuma në lekë dhe euro të cilat ndodheshin në kasafortat përkatëse.
Hajdutët kanë hyrë gjatë natës duke synuar zyrat ku ndodhen lekët dhe në qetësi të plotë kanë mundur t’i përvetësojnë ato. Bëhet fjalë për një biznes të përpunimit të letrës, një pikë e tregtimit me shumicë të materialeve hidrosanitare dhe një furrë buke në fshatin Bulgarec. Sipas të dhënave nga vetë bizneset, tek furra e bukës janë vjedhur 12 mijë euro dhe 4 milionë lekë të vjetra, ndërsa në dy bizneset e tjera 1 milionë dhe 300 mijë lekë të vjetra.
Policia ka nisur hetimin për rastet, por kjo nuk është hera e parë që bizneset në Korçë bien pre’ e grabitësve. Vitin e kaluar të paktën 10 biznese të mëdha u vodhën në masë të konsiderueshme, ndërsa policia nuk mundi të binte në gjurmë të autorëve. Policia beson se grabitjet në masë të bizneseve në Juglindje, referuar mekanizmit të përdorur, janë realizuar nga i njëjti grup kriminal, i cili vepron edhe në qytete të tjera të vendit.
KOHA JONË SONDAZH

