Gramoz Ruçi takim me ministrin kroat të Transportit: Të forcojmë Partneritetin Strategjik midis të dy vendeve
Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, priti Ministrin e Çështjeve Detare, Transportit dhe Infrastrukturës së Kroacisë, Oleg Butković, i cili ndodhet për vizitë zyrtare në Tiranë.
Kryetari Ruçi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilat po zhvillohen në frymën e Partneritetit Strategjik, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar më 04 dhjetor 2018 nga Kryeministrat Rama dhe Plenković. Ruçi falenderoi qeverinë kroate edhe për vendimin e saj të 1 korrikut për dhurimin e 20 mijë vaksinave anticovid për Shqipërinë.
“Trilaterali midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Malit të Zi, është një nga shembujt më të mirë të bashkëpunimit politik mes vendeve tona dhe në rajon, veçanërisht në zhvillimin e disa sektorëve si mjedisi, siguria dhe infrastruktura. Shqipëria dhe Kroacia kanë gjithashtu vizion të njëjtë për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor në BE. Ne falenderojmë Presidencën Kroate të BE për mbajtjen Samitit të Zagrebit Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor (on line, më 6-7 maj 2020), i cili tregoi përkushtimin e palëkundur të BE-së për të mbështetur transformimin politik, ekonomik dhe shoqëror dhe integrimin europian të rajonit, mbështetje e cila shpreh edhe nje herë në Samitin on line më 5 korrik 2021.”, nënvizoi Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
Duke marrë shkas nga prania në delegacion edhe e deputetes shqiptare, znj. Ermina Lekaj Prljaskaj, përfaqësuese e pakicave në parlamentin e Kroacisë, Kryetari Ruçi shprehu mirënjohjen për hapësirat e krijuara për diasporën shqiptare në Kroaci dhe nxitjen e kontributit të saj për zhvillimin e Kroacisë si edhe për forcimin e miqësisë midis dy popujve tanë.
Ministri Oleg Butković falenderoi Kryetarin Ruçi për vlerësimet për bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe Kroacisë dhe i transmetoi përshëndetjet dhe falenderimet e Kryetarit të Parlamentit, Gordan Jandroković, dhe të Kryeministrit, Andrej Plenković, për nxitjen dhe mbështetjen e bashkëpunimit dypalësh. “Kroacia është e vendosur që t’i çojë deri në fund projektet e saj të zhvillimit dhe të infrastrukturës, të cilët kanë impakt pozitiv në rajon dhe në Shqipëri, si edhe për mbështetjen e integrimti europian të Shqipërisë. ”, theksoi Ministri Butković.
Kryetari Ruçi dhe Ministri Butković shkëmbyen mendime edhe mbi zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e transportit, turizmit, agroturizmit, energjisë, legjislacionit të investimeve dhe të integrimit evropian, sektorit bankar etj.