Gratë dhe masoneria në Shqipëri

Nga Marin Meksi, Mason

Referuar fotos së vajzës masonë dhe pyetjeve pa fund nëse ka zonja masonë: Përgjigjja është: PO! Ka zonja masonë në lozhat mikse! Ka lozha masonike edhe në vendin tonë. Madje, çdo ditë e më shumë, anëtaret shtohen. Gruaja është një forcë e madhe në shoqëri. Ajo krijon jetë brenda jetës – është gjysmë perëndi. Të gjithë vijmë nga një grua. Edhe pse historia patriarkale e ka nxjerrë atë në plan të dytë, kjo ndodhi vetëm për një fakt absurd: prevalimi i forcës fizike nga burrat.

E kuptoj këtë në kontekstin historik, por sot, edhe në shoqëri të vogla numerikisht dhe ndoshta jo të zhvilluara plotësisht, gruaja ka mundësi të studiojë, të punojë – madje, shpesh më shumë se një mashkull. Mendja e femrës, ndjeshmëria, intuita, thellësia dhe shumë cilësi të tjera e bëjnë atë jo vetëm të barabartë, por edhe superiore në disa raste. Madje, në ditët tona, edhe forca fizike e femrës po arrin të rivalizojë atë të mashkullit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ka gra që nuk e shohin veten si objekt dhe nuk e përdorin feminilitetin si mjet joshjeje për të justifikuar qëllimet. Janë gra që kanë emër, dinjitet, ideal, karakter, qëllim. Janë nëna e bashkëshorte, bija e motra, përfaqësuese të një familjeje, të një profesioni, të një pasioni. Janë gra që nuk janë peng i materies, që dinë të thonë “Jo!”, që nuk e quajnë bukurinë e një femre tjetër si një difekt, e as nuk e përbuzin nga zilia. Janë gra që nuk kanë nevojë për një padron.

Swiss Digital Mobile Reklama

Por, jo çdo grua e tillë është domosdoshmërisht masonë. E megjithatë, ka shumë e shumë gra të tilla që janë masonë pa veshjen masonike. Prandaj, këto gra masonë nuk i ndal asgjë që, njësoj si motrat e tyre, Perandoresha Josephine apo Maria Curie – të vazhdojnë misionin e tyre masonik dhe humanist. Ato nuk i ndal paragjykimi i ndonjë diletanti të ndonjë institucioni të sigurisë kombëtare që mund t’i konsiderojë si rrezik, as zilia, as inati, dhe as idetë e atyre mjeranëve të kufizuar që çdo gjë që nuk arrijnë ta kuptojnë apo ta bëjnë vetë, e quajnë konspiracion dhe e anatemojnë.

As nga ata që, ndodhur rastësisht në një pozicion që nuk u takon, e konsiderojnë veten të privilegjuar dhe përpiqen të sulmojnë ata që janë të ndryshëm – që në fakt janë me vlera të vërteta. Ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse komplotojnë me shpirt-tharët e tjerë, duke përdorur çdo mekanizëm të mundshëm mbijetese, duke krijuar një gardh të përgjakshëm që ushqen dhe kënaq sarajet oligarkike. Sepse vetëm ata, si mish për top, mund të shfrytëzohen dhe hidhen tej nga padronët e tyre – të verbuar nga injoranca, babëzia dhe pasiguria.

Por fatkeqësia nuk mbaron këtu. Injoranca mbështetet te gojëdhënat shekullore e prapanike, që e paraqesin masonerinë si diçka të keqe: si djaj, pa Zot, si çifutë, si sionistë, satanistë që bëjnë orgji nën efektet e drogës, sakrifikojnë fëmijë, komandojnë anëtarët si robotë dhe i vrasin nëse nuk binden.

Edhe vetë Steven Spielberg do të ndihej amator përballë kësaj imagjinate perverse. Të mos dish është një gjë. Por të mos kesh dëshirën dhe dashamirësinë për të dëgjuar apo për të mësuar, është krejt tjetër gjë. Të gjithë faktet janë të shkruara me të zezë mbi të bardhë, në historinë e gdhendur të njerëzimit, ku figurat më të famshme ishin masonë, ku ngjarjet më të rëndësishme humaniste u zhvilluan nga masonët, ku ndryshimet e mëdha nga pushtetet totalitare në ato humaniste u realizuan nga masonët.

Dhe ende, në vitin 2025, në vend të respektit – madje, pse jo, edhe adhurimit – vazhdojnë të qarkullojnë aludime të pabaza, të paarsyeshme. Ndërkohë që faktet janë kokëfortë, mjeranët ende sillen si ekspertë të masonerisë, sikur të ishin vetë James Anderson, autori i Kushtetutës Masonike. Por unë jam i sigurt: sa kohë të ketë masoneri, do të ketë shpresë për demokraci dhe humanizëm në shoqëri.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?