Gratë e njohura shqiptare-mjekëve: Na tregoni se nuk i kemi humbur shpresat

Në këtë kohë të pandemisë së Covid-19, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka bërë bashkë gra shkrimtare, studiuese, botuese, profesore në një mesazh drejtuar mjekëve. Në këtë mesazh shprehet respekt e mirënjohje për mjekët, infermierët e punonjësit e sistemit shëndetësor shqiptar. “Gjatë kësaj periudhe të pazakontë, përveç tjerash, ju keni qenë në çdo familje shqiptare, ju jeni modeli i njeriut dhe qytetarit për fëmijët tanë përtej çdo leksioni e ore mësimore; ju krijuat modele sjelljesh pozitive, që lidhen me vlerat humane, siç është forcimi i solidaritetit, po edhe respekti për mendimin shkencor e për punën profesionale; dhe ne si shoqëri kemi shumë nevojë edhe për këto”,-thuhet ndër të tjera në mesazhin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.

Mesazhi i plotë

Të dashur e të nderuar mjekë, infermierë e punonjës të sistemit tonë shëndetësor,

Ju shprehim respekt e mirënjohjeje të thellë!

Jemi krenarë për ju, që punoni sot në këtë front të vështirë, në vijë të parë të luftës kundër koronavirusit !

Janë ditë të vështira, me shumë të panjohura e në garë me kohën, por ju, me profesionalizëm të jashtëzakonshëm, keni vënë gjithë energjitë dhe shpirtin tuaj të madh për të shpëtuar vendin nga ky rrezik. Me përkushtim të rrallë, duke mjekuar të sëmurët e duke qenë pranë tyre pa pushim, ju po shpëtoni Shqipërinë, në këtë betejë, e cila si asnjëherë më parë, nuk kërkon armë për të mposhtur armikun, por dashuri, përgjegjshmëri, ndjenjë detyre, përkushtim, vetë-sakrifikim për tjetrin dhe komunitetin.

Shpesh, përpara se të na binte kjo fatkeqësi, kushdo prej nesh, i kënaqej jetës sonë të “vogël”, duke ndjerë ndërkohë, se në emër të lirisë së individit, po humbte solidariteti për njëri- tjetrin, po humbte altruizmi, po humbte përfshirja në shqetësimet e komunitetit, por, me gjithë këtë që po ndodh prej ditësh, ju po na provoni të kundërtën.

Ju na dëshmuat se jo të gjitha ato që kemi thënë janë të vërteta. Jeni profesionistë të shkëlqyer e po kaq solidarë e altruistë. Një tjetër krenari që ndjejmë këto ditë të vështira, është pikërisht ky profesionizëm i lartë mes jush, që e vini në shërbim të shoqërisë, si e kini vënë gjithnjë, në heshtje, me devotshmëri, pa bujë.

Gjatë kësaj periudhe të pazakontë, përveç tjerash, ju keni qenë në çdo familje shqiptare, ju jeni modeli i njeriut dhe qytetarit për fëmijët tanë përtej çdo leksioni e ore mësimore; ju krijuat modele sjelljesh pozitive, që lidhen me vlerat humane, siç është forcimi i solidaritetit, po edhe respekti për mendimin shkencor e për punën profesionale; dhe ne si shoqëri kemi shumë nevojë edhe për këto.

Ju po na tregoni çdo ditë e çdo natë se Shqipëria nuk i ka humbur shpresat, se nuk i ka humbur bijat dhe bijtë e saj.

Në shenjë mirënjohjeje e përunjësie!

-Mynever Shuteriqi
-Fatmira Aliaj
-Floresha Dado
-Helena Kadare
-Flutura Acka
-Diana Çuli
-Lili Sula
-Vera Bekteshi
-Pranvera Bogdani
-Arlinda Dudaj
-Mimoza Ahmeti
-Natasha Lako
-Monika Stafa
-Diana Kastrati
-Mira Meksi
-Meri Lalaj
-Alda Bardhyli
-Mimoza Kore
-Rita Petro

SHKARKO APP