Gratë në Elbasan protestojnë për vrasjen e Liljana Buzit: Nuk jemi numra
Lule dhe qirinj janë vendosur pranë vendit ku humbi jetën pak ditë më parë Liljana Buzi. Gratë elbasanase, mbështetur nga Forumi i Gruas, marshuan nga pedonalja e qytetit drejt Gjykatës së Rrethit Gjyqësor.
Duke dënuar vrasjen tragjike të një nëne, ato u kanë bërë thirrje institucioneve për t’i mbrojtur nga agresiviteti i burrave, ku përpos dhunës, shumë prej grave kanë humbur edhe jetën. Kërkojnë që autoritetet ligjzbatuese të mos i trajtojnë vetëm si statistika, por të përforcojnë mekanizmat mbrojtës për sigurinë e jetës së tyre.
Edhe pse ligjet përmirësohen vazhdimisht, ato vazhdojnë të mos zbatohen. Raste të përsëritura dhe komunitet është pasiv ndaj dhunës në familje.
“Kemi trajtuar mbi 6000 raste, komunitetit qëndron pasiv ndaj rasteve të dhunës, nuk ndihmojnë në denoncime”, u shpreh Shpresa Banja, presidente e Forumit të Gruas.
Dy faktorë të tjerë që mendohet se nxisin dhunën në familje sipas presidentes së Forumit të Gruas është edhe gjuha e ashpër dhe imponuese e politikanëve, si dhe programet televizive që përçojnë mesazhe që nuk respektojnë figurën e gruas në shoqëri.