Grekët duan detin, por thajnë Vjosën!

Një projekt i qeverisë greke për devijimin e një pjese të lumit Vjosa mund të sjellë tensionimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Ashtu si në rastin e ndarjes së ujrave në detin Jon, edhe këtë herë konstatohet mosrespektimi i marrëveshjeve ndërkombëtare për burimet hidrike që kalojnë mes dy vendeve. Projekti energjetik në shtetin grek është hartuar nga një kompani private dhe synon përdorimin e ujit të lumit Vjosa, në pjesën greke, për ndërtimin e një hidrocentrali. Ky projekt ka gjetur mbështetjen e nëntë ministrive greke, të cilat i kanë dhënë firmën për nisjen e zbatimit. Bashkia e Konicës dhe 4 shoqata ambientaliste greke e kanë paditur këtë projekt në Gjykatë Supreme Administrative të shtetit grek. Kjo gjykatë pritet të japë vendimin në muajin mars, i cili do të vendosë për fatin e një pjese të rrjedhës së Vjosës. Por çfarë rrezikon Shqipëria nga ky projekt që zhvillohet në tokën greke? Vjosa është një nga lumenjtë kryesorë dhe me më shumë ndikim në ekosistemin e jugut të vendit përgjatë 192 kilometrave të tij në territorin shqiptar. Ndërhyrja e kompanisë greke do të bëhet në 80 kilometrat që kalojnë në territorin grek, përkatësisht në zonën që prek Konicën. Devijimi i një pjese të lumit për në liqenin e Janinës për energji do të ulte ndjeshëm prurjet e lumit dhe dëmtimin e zonës së Përmetit, Tepelenës, Myzeqesë dhe Vlorës. Dëmi i parë është ekonomik, pra nxjerrja jashtë funksionit e shumë zonave që vaditen nga Vjosa, ndërsa dëmi në ekosistem është i pallogaritshëm. Në këtë situatë, për një projekt që zhvillohet në territorin grek, Shqipëria duhet të kërkojë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe pakteve për mbrojtjen e ekosistemit, sipas të cilave vendime të tilla merren bashkërisht mes shteteve dhe jo në mënyrë të njëanshme. Dy vendet kanë nënshkruar një sërë marrëveshjesh ndërkombëtare për menaxhimin e ujërave ndërkufitare të lumenjve, të cilat mesa duket nuk janë marrë parasysh deri më sot nga pala greke.

Por çfarë është bërë deri më tani? Institucionet greke pretendojnë se kanë vënë në dijeni institucionet shqiptare dhe konkretisht, ministrinë e Jashtme për projektin. Në gjyqin që zhvillohet në Greqi, avokati mbrojtës i projektit është shprehur se në muajin korrik 2013 i është dërguar një letër ministrisë së Jashtme Shqiptare. Ish-ministri Aldo Bumçi, në atë kohë në detyrë, mohon të ketë pasur korrespodencë zyrtare mes dy institucioneve për këtë çështje. Drejtuesit aktualë të ministrisë së Jashtme janë njohur me këtë problem  gjatë disa takimeve me diplomatë të lartë grekë pas zgjedhjeve të vitit 2013. Zyrtarisht, çështja e rrjedhës së Vjosës është në gjykim nga gjykata greke, e cila ka të njëjtën peshë si Gjykata jonë Kushtetuese. Por teksa pritet një vendim i saj në muajin mars, situata në vendin fqinj është e ngjashme me situatën në Shqipëri të paktit detar mes dy vendeve. Pakti u miratua nga qeveria shqiptare dhe u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Greqia kërkon zbatimin e paktit, por qeveria e re ka si argument vendimin e Gjykatës. A mos shteti fqinj do bëjë fakt të kryer devijimin e ujërave duke shmangur marrëveshjet ndërkombëtare me një vendim të Gjykatës Supreme greke dhe si një hakmarrje për çështjen e detit, të cilën donin ta merrnin me një Marrëveshje, por nuk ia dolën dot pasi e rrëzoi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë.

Këtë të hënë, në Tiranë mbërrin zv/ministri i Jashtëm i Greqisë, Niko Hundis. Edhe pse nuk është vizita e nivelit më të lartë diplomatik mes dy vendeve, pas ndërrimit të qeverisë në Athinë, prania e zv/ministrit grek pritet të shërbejë për përcaktimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve. Shqipëria dhe Greqia kanë jo pak probleme që presin zgjidhje. Pakti Detar është një nga më të nxehtët dhe për të cilin janë konsumuar shumë energji nga dy vendet. Por çështjeve të hapura dhe të pa hapura Tiranë-Athinë, tashmë u është shtuar dhe çështja e lumit Vjosa. Kjo e fundit dhe pse ende një projekt, duket se është dhe një presion për të marrë detin në këmbim të Vjosës. Lojë dinake greke!

Por Edi Rama nuk duhet kurrsesi të bëjë gabimin e Berishës kur ishte kryeministër që për pak sa nuk fali detin në këmbim të një mbështetje politike për dhënien e Statusit për në BE.Mëgjithëse thuhet se Berisha bëri lojë me grekët, pasi ua firmosi që t’u merrte firmën për në BE dhe më pas, gjoja, pa dijeninë e tij Gjykata Kushtetuese e rrëzoi Marrëveshjen! Mundet edhe lojë që pakkush e di. Por në rastin e lumit Vjosa kurrësesi nuk duhet lejuar,as me këmbim e as pa këmbim të asgjeje.

Ndaj pritet të vëzhgojmë lëvizjet e Ditmir Bushatit ministrit të Jashtëm nëse hap dritë jeshile Greqisë për lumin Vjosa apo mos japin pjesë nga deti jonë.Në opozitë kanë thënë ndryshe kësisoj nuk duhet të shkelin mbi parimet dhe premtimet e tyre,as Ditmir Bushati e as Kryeministri Rama.Nuk jemi pa forcë tashmë si Shqiperi ndaj tregoni paksa dhembët fqinjëve se boll na i kanë kërcëlluar tash 25 vjet !

 

SHKARKO APP