Greqia ashpërson masat kundër COVID-19, mbyllen shkollat fillore dhe kopshtet
Greqia merr një tjetër masë për frenimin e përhapjes së koronavirusit. Kështu duke nisur nga dita e hënë shkollat fillore dhe kopshtet do të jenë të mbyllura.
Propozimi u dha në mbledhjen e Komisionit të shkencëtarëve, ndërsa nesër pritet që të bëhet njoftimi përmes ministrisë.
Në të njëjtën kohë, ekspertët sugjerojnë që shkollat e arsimit special të qëndrojnë të hapura, siç u bë në bllokimin e parë.
Qëllimi për mbylljen e shkollave në të gjithë Greqinë është ulja e lëvizshmërisë dhe ndalimi i valës së dytë të pandemisë së koronavirusit.
Mësuesit tashmë kanë informuar prindërit e nxënësve të tyre për regjistrimin e fëmijëve në platformat e-mësimit.
Sugjerimi i specialistëve të sëmundjeve infektive për mbylljen e shkollave fillore u bë në fillim të javës dhe kishte të bënte me Selanikun.
Sidoqoftë, përhapja e pandemisë po ndryshon të dhënat, pasi gjithnjë e më shumë zona kanë hyrë dhe po hyjnë në “zonën e kuqe”, gjë që pasqyrohet në 3319 raste të konfirmuara dje dhe 3,038 sot.