Greqia ërkon aleancë ushtarake me Shqipërinë dhe Serbinë
Ministri i Mbrojtjes i Greqisë, Panos Kammenos është duke promovuar një plan të ri pas dështimit të referendumit për ndryshimin e emrit të Maqedonisë. Kammenos ndodhet aktualisht në SHBA ku është takuar edhe me Sekretarin e Mbrojtjes, James Mattis, të cilit raportohet se i ka dorëzuar planin tij që mundëson pengimin e avancimit të Rusisë në Ballkan.
Kammenos ka propozuar nënshkrimin e një marrëveshje ushtarake midis Greqisë, Shqipërisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë, çka sipas tij, do të stabilizonte situatën në Ballkan. Sipas ministrit grek, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje do të ishte një alternativë e mirë për Maqedoninë, duke qenë se ky shtet nuk mund të anëtarësohet në NATO pa ndryshuar emrin.
Propozimi i është dorëzuar edhe Ndihmës-sekretarit të Shtetit, Aaron Wess Mitchell, nga vet Panos Kammenos.
Në plan parashikohet gjithashtu që edhe Serbia të bëhet pjesë e kësaj marrëveshjeje në një fazë më të vonë.
Kjo aleancë ushtarake në Ballkan ka hasur menjëherë në kundërshtime në Athinë, ndërkohë që nuk dihet qëndrimi i Tiranës, Shkupit dhe Sofjes për këtë çështje.
Georgios Katrougalos, zv/ministër i Jashtëm i Greqisë, ka deklaruar se plani i Kammenos nuk mund të konsiderohet një alternativë për Marrëveshjen e Prespës. Ai ka theksuar se kjo marrëveshje vijon të ketë mbështetjen e qeverive në Athinë dhe Shkup.
KOHA JONË SONDAZH

