Greqia merr masa për të parandaluar zjarret gjatë verës

Kur zjarrfikësit shkuan për të shuar një zjarr në një pyll me pisha në ishullin grek të Rodosit korrikun e kaluar, flakët tashmë kishin bërë kërdinë.

Vullnetarët duhej të vepronin shpejt, por bimësia e dendur në të gjithë pyllin e bëri të vështirë ndërhyrjen e zjarrfikësve.

Zjarrfikësi e kishin të pamundur të shuanin flakët të cilët u përhapën dhe brenda pak ditësh zjarri kishte përfshirë ishullin mesdhetar, duke detyruar 19,000 njerëz të largoheshin nga shtëpitë e tyre përgjatë vitit 2023.

Numri i të zhvendosur përbënte një nga evakuimet më të mëdha për shkak të një fatkeqësie natyrore në historinë e Greqisë .

Teksa vera po afron dhe ndryshimi klimatike kanë shkaktuar zjarret gjithnjë e më vdekjeprurëse në të gjithë Evropën Jugore, Greqia ka zhvilluar politika të reja për të parandaluar një skenar të tillë, duke përfshirë vendosjen e një kamioni shtesë zjarrfikës për çdo vatër të re dhe pastrimin e pyjeve.

Valët e të nxehtit shkaktuan zjarre në zona të Portugalisë, Francës, Spanjës dhe Italisë vitin e kaluar dhe shkaktuan dhjetëra viktima.

Situata është veçanërisht e rëndë në Greqi, e cila sapo ka regjistruar dimrin e saj më të ngrohtë në histori, duke krijuar kushte ideale për zjarret që kërcënojnë të korrat, shtëpitë dhe që pritet të prekë rëndë sektorin e turizmit.

Gushtin e kaluar, një zjarr në rajonin verior të Evros shkatërroi një zonë më të madhe se qyteti i New York dhe shkaktoi të paktën 20 viktima zjarri më vdekjeprurës evropian i vitit 2023. Zjarret këtë vit kanë filluar më herët se sa pritej, duke përfshirë një vatër të re zjarri që kishte gjatë muajit mars në një zonë malore normalisht i mbuluar nga bora.

Vetë ministri për Krizat Klimatike dhe Mbrojtjen Civile Vassilis Kikilias thotë për gazetarët e agjencisë së lajmeve Reuters se do të jetë një verë e vështirë.

Vassilis Kikilias, Ministër për Krizat Klimatike: Do të kemi një sezon shumë të vështirë zjarresh. Po ndodh një krizë klimatike, mendoj se të gjithë po i shohin se ndryshimet e motit janë ekstreme, kishim një dimër shumë të thatë, në thelb vapa dhe vjeshta zgjatën deri në dhjetor. Kemi pasur pak shi dhe borë.

Greqia po bën progres për të luftuar zjarret, duke përfshirë trajnimin e zjarrfikësve.

Rreth 700 roje pyjesh u punësuan këtë vit. Autoritet greke kanë pastruar 12,000 hektarë pyje që nga viti 2022 dhe 7,000 hektarë të tjerë do të përfundojnë deri në fund të majit.

Vassilis Kikilias, Ministër për Krizat Klimatike: Ne punësuam 700 të tjerë këtë vit dhe kemi 16 njësi zjarrfikësish të cilët janë të shpërndarë nëpër ishujt tanë dhe Greqinë kontinentale. Ata do të jenë më afër çdo situate dhe do të jenë më të shpejtë dhe do të japin një ndihmë të menjëhershme. Zjarrfikësit tanë të cilët janë të arsimuar, të trajnuar dhe do të shuajnë zjarret do të na ndihmojmë që ta përballojmë situata të tilla më mirë dhe më shpejt.

Megjithatë, pavarsisht masave të marra pritet që efektet e krizës klimatike të jenë të pranishme.

Vassilis Kikilias, Ministër për Krizat Klimatike: Ne do të kemi një betejë të madhe këtë vit, kemi bërë shumë për parandalimin dhe trajtimin e situatave te tilla, por po e përsëris, po punojmë drejt uljes së ndikimit dhe pasojave të këtij fenomeni.

Sipas një plani prej 2.1 miliardë euro Greqia ka përfunduar tenderët për më shumë se 1,000 zjarrfikës dhe shtatë avionë DHC-515 dhe ka në plan të instalojë sensorë për të zbuluar tymin.

Ekspertët shqetësohen se nuk do të mjaftojë. Pyjet e pastruara përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të rreth 7.5 milionë hektarëve të pyjeve greke. Disa nga kamionët dhe avionët e tenderuar nuk do të dorëzohen me vite.

Shumë ekspertë thonë se duhet të shpenzohen më shumë para për të krijuar një ekip specialistësh për zjarret, të cilët mund të hartojnë hartat e rrezikut dhe të analizojnë se si zjarret ka gjasa të përhapen.

Ata rekomandojnë përqafimin e metodave të shuarjes së zjarrit të përdorura në pjesë të tjera të botës.

Evropa në përgjithësi po përballet gjithnjë e më shumë me valë të të nxehtit shumë intensive sa trupi i njeriut nuk mund t’i përballojë, pasi ndryshimet klimatike vazhdojnë të rrisin temperaturat.

Rritjen e temperaturave e konfirmojnë edhe shkencëtarët.

Carlo Buontempo, shkencëtar: Viti siç e dini, në rang global ka qenë jashtëzakonisht i pazakontë, veçanërisht kur krahasohet me klimën e disa dekadave, shekujve apo edhe mijëvjeçarëve të fundit. Pra, disa nga ngjarjet e vitit 2023 kanë befasuar komunitetin shkencor për shkak të intensitetit , shpejtësinë, shtrirjen dhe kohëzgjatjen e tyre.

Valët ekstreme të të nxehtit shkaktojnë rreziqe të veçanta shëndetësore për punëtorët në natyrë, të moshuarit dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti.

BE-së u ka kërkoi qeverive muajin e kaluar të përgatisin sistemet e kujdesit shëndetësor për ndryshimet klimatike dhe bëri thirrje për rregulla të BE-së për të mbrojtur punëtorët e jashtëm nga nxehtësia ekstreme.

Përveç problemeve në shëndet krizat klimatike kanë patur efekt edhe në ekonomi.

Carlo Buontempo, shkencëtar: Qindra mijëra njerëz u prekën nga ngjarjet ekstreme klimatike në vitin 2023, të cilat kanë qenë përgjegjëse për humbje të mëdha në ekonomi, të vlerësuara të paktën në dhjetëra miliarda euro. Fatkeqësisht, këto shifra nuk ka gjasa të bëhen më të vogla, të paktën në të ardhmen e afërt.

Viti i kaluar ishte më i nxehti në botë që nga fillimi i regjistrimeve. Evropa është kontinenti me ngrohjen më të shpejtë në botë.

Emetimet e gazeve serrë ishin shkaku më i madh i nxehtësisë së jashtëzakonshme të vitit të kaluar sipas shkencëtarëve por edhe fenomeni natyror El Nino ka luajtur gjithashtu një rol.

SHKARKO APP