“Greqia mund të shkatërrojë politikën e BE-së në Ballkan”

Nga Marcus Tanner, BIRN

Ndërsa Europa mbetet e fiksuar nga pasojat e mundshme të nxjerrjes së revoleve për sfidë mes BE-së dhe qeverisë së re të Greqisë për shkak të sjelljes së kësaj të fundit në lidhje me ripagesat e borxheve, shqetësimet për një flirt me Rusinë në politikën e jashtme të Greqinë janë lënë disi mënjanë.

Shqetësimet mbi “mikun e ri të Rusisë,” siç i është vënë nofka qeverisë së re të udhëhequr nga Syriza, ndoshta janë të ekzagjeruara.

Në mënyrë domethënëse, pasi u ankua se ajo nuk qe konsultuar mbi planet për zgjatjen e afatit të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë për shkak të Ukrainës, kur ajo u cyt me të vërtetë, qeveria e re nuk u përpoq të bllokonte vendimin për vijimin e sanksioneve në takimin e BE-së të enjten.

Pavarësisht kësaj, mbërritja në Athinë e një qeverie që e sheh politikën e Rusisë me një farë simpatie – ose së paku me më shumë simpati se sa qeveria paraardhëse – mund të dëmtojë shanset e BE-së për të patur një ostpolitikë konsistente.

Ajo mund të prekë gjithashtu edhe sudostpolitikën e BE-së – politikën  e saj kundrejt Ballkanit, ku dy shtete në veçanti – Serbia dhe Bullgaria – acarohen gjithmonë nga tensionet Lindje-Perëndim.

Në këto dy vende, qeveritë gjithmonë janë detyruar të luftojnë me faktin se koka dhe zemra janë në drejtime të ndryshme. Llogaritë e ftohta racionale mund të diktojnë aleanca me perëndimin por simpatitë natyrore të shumë njerëzve janë nga shteti i madh Sllav Orthodoks në lindje.

Në leksionin e tij të fundit mbi krizën me të cilën përballet demokracia në Ballkan në Shkollën Ekonomike të Londrës, Florian Bieber, profesor i studimeve të Europës Jug-Lindore në Grac, [Austri] vërejti potencialin për probleme nëse autoritete rebele pro-Ruse si qeveria e entitetit me shumicë serbe në Bosnjë gjejnë papritur shokë.

Një konstelacion aleatës së Kremlinit mund të fillojë të shfaqet në rajon, tha ai, me një shënim gjithashtu te pakënaqësitë e dukshme që ka shfaqur Hungaria në lidhje me konfliktet me Kremlinin. Bieber rikujtoi vizitën e udhëheqësit të Syriza Alexis Tsipras në Serbi vitin e kaluar. Një nga mikpritësit e tij, – dhe një tifoz i zjarrtë – qe Alexander Vulin, ministri aktual i Punës dhe dikur kreu i ashpër i zyrës së Qeverisë së Serbisë për Kosovën.

Korrespondenti i The Economist për Ballkanin, Tim Judah, thotë se është herët të spekulosh se çfarë do të bëjë Syriza në qeverisje në kuptimin e politikës së jashtme duke u bazuar thjeshtë te deklaratat pompoze të bëra në opozitë. Gjithashtu, Greqia është një lojtar relativisht i vogël dhe në një pozicion të dobët aktualisht.

“Por, nëse ke një shtet besnik të Rusisë në BE, ai mund të luajë rolin e batakçiut në BE,” tha ai.

BE-ja ka patur sakaq telashe në detyrimin e vendeve të rajonit të përshtasin politikat e tyre të jashtme me atë të BE-së në lidhje me Ukrainën. Tashmë, vijoi ai, forcat politika që dikur mund të kenë ngurruar të shmangen nga vija e përbashkët e BE-së, “mund të fshihen pas Greqisë nëse ka diçka që shumica e vendeve të BE-së duan ta bëjnë – ky është problemi.

Në teori, të gjitha vendet kandidate të BE-së duhet të përshtasin veten me BE-në,” shtoi Judah.

“Mali i Zi e bëri por Serbia jo. Tashmë ajo mund të thotë, pse na bëni presion ne [për sanksione në lidhje me Ukrainën përshembull] kur edhe grekët janë kundër?”

Ukraina nuk është problemi i vetëm mbi të cilin BE ndjen se partnerët në Ballkan duhet të këndojnë të njëjtin himn. Probleme të tjera janë migracioni, energjia dhe Kosova.

Në lidhje me Kosovën, Brukseli nuk ka këmbëngulur që kandidati për anëtarësim Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës, por ka këmbëngulur që Serbia të ulet në bisedime në Bruksel me autoritetet nga ish provinca e saj.

Për shkak se Greqia nuk e njeh gjithsesi Kosovën, është e arsyeshme të mendosh se çfarëdolloj qëndrimi që do të mbajë qeveria e re, ajo nuk ka për të ndryshuar shumë.

Por Judah paralajmëron se ky është një thjeshtëzim i tepruar. Kjo për shkak se BE bazohet te shtetet që nuk e njohin, si Greqia për të mos bërë shumë zhurmë në rastet kur, për shembull, Brukseli vringëllon me shumë kujdes para Kosovës perspektivën e anëtarësimit. Në raportin e vitit 2014, Komisioni në mënyrë domethënëse përshkroi përmbylljen e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Anëtarësimit me Kosovën si një “pikë e rëndësishme” në marrëdhënien e tyre të ndërsjelltë.

Po në këtë mënyrë në lidhje me migrimin, BE bazohet te kufijtë e jashtëm si Greqia për marrjen e një barre të rëndë në parandalimin e flukseve masive të të ardhurve të padëshirueshëm. Kufiri i saj lindor me Turqinë është një shteg madhor për emigrimin ilegal nga Lindja e Mesme. Në vitet e fundit qeveria e Greqisë ka përshkallëzuar masat për të ndaluar fluksin.

Qeveria e re mund të ndjehet më pak e detyruar për të luajtur rolin e rojës kufitare të BE-së. Nëse dëshiron të luajë rëndë, ajo mund të mbyllë sytë para një numri më të madh njerëzish të tillë që hyjnë aty dhe pastaj t’i lejojë të kalojnë përmes territorit të sa nëpër shtete fqinje si Serbia në rrugën drejt Perëndimit. Ndërsa Greqia dhe Brukseli po shihen sy më sy, me fjalë të tjera, Greqia ka më shumë letra në dorë nga sa mund të imagjinohet.

SHKARKO APP