Greqia në krizë, kërkon 10 mijë shqiptarë për punë

Pandemia e Covid-19 ka rrënuar edhe më shumë ekonominë në botë por Greqia ka nevojë për më shumë se 50 mijë punonjës sezonalë në vit në sektorin e bujqësisë dhe po kaq edhe në sektorin e turizmit. Në shumicën dërrmuese të tyre, forca punëtore janë nga Shqipëria. Ministri grek i Bujqësisë Makis Vorodhis, tha se Athina zyrtare është e shqetësuar lidhur me situatën e krijuar mbas mbylljes së kufijve, pasi nëse kjo situatë do të vazhdojë, fermerët greke rrezikojnë të çojnë dëm prodhimin e frutave dhe perimeve të këtij viti, me një dëm tepër të lartë për ekonominë e vendit.

Arminda Plangarica, një aktiviste shqiptare në shtetin helen, thotë se ministri i Bujqësisë në Greqi për herë të parë ka pohuar se dora e punëtorëve shqiptarë në sektorin e bujqësisë është e pazëvendësueshme.

“Natyrisht janë krijuar disa tema pas përhapjes së virusit Covid-19, një nga temat tepër serioze është edhe mbyllja e kufijve. Siç jeni edhe ju në dijeni, në të dyja anë e kufirit kemi bllokim të kalimit, dhe kjo është tepër e natyrshme, sepse në radhë të parë do të ruajmë sigurinë e qytetarëve, dhe pastaj do të shohim diçka tjetër që vjen pas kësaj. Siç thatë edhe ju, Athina zyrtare ka shprehur një shqetësim mjaft të madh për këtë temë. I pari ishte Vorodhis, i cili bëri një deklaratë që në fakt nuk e prisnim nga ministri i Bujqësisë”,-tha për “Euronews”.

Aktivistja shqiptare zbuloi një bisedë, të cilën e ka zhvilluar një vit më parë me Presidentin e Konsorciumit të Kooperativave në Greqi në lidhje me nevojën që ka shteti fqinj për krahun e punës në bujqësi. Ajo tha se kryefjala e bisedës ka qenë hartimi i një politike institucionale, me anë të së cilës, do të krijohej mundësia për të sjellë punëtorë të organizuar nga Shqipëria. Ajo tha se kjo çështje në këto momente që flasim është drejt hapit final dhe pritet vetëm fjala e autoriteteve shtetërore. Nga ana tjetër, ajo tha se bujqësia greke në zonën ku ajo jeton ka nevojë për 10 mijë shqiptarë, të cilët do të shkojnë në mënyrë të organizuar dhe do t’u nënshtrohen testeve rigoroze.

SHKARKO APP