Greqia nis hetimin për vrasjen e minoritarit, trupi i Kacifasit sillet në Tiranë (Detaje)
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka vendosur që trupi i ekstremistit grek që u vra dy ditë më parë Kostandinos Kacifas të transportohet në Tiranë për një autopsi sa më të thelluar që të mos ketë asnjë kundërshtim nga familja. Trupi është transportuar pasditen e sotme, ndërsa ekspertiza do të kryhet nga mjekësia ligjore qendrore.
Kërkesa e Krimeve të Rënda vjen dy ditë pas vrasjes së 35 vjeçarit, familjarët e të cilit refuzuan deri në orën 16:00 të së martës që ta tërheqin trupin, pasi kërkonin ekspertizë greke. Familja ka pajtuar një avokat grek dhe një mjek nga spitali i Janinës, të cilët do të ndjekin procesin e autopsisë që do të kryhet në Tiranë.
Ndërkohë që edhe pse Prokuroria shqiptare refuzoi hetuesit grekë që të bëhen pjesë e hetimeve për vrasjen e ekstremistit Kostandinos Kacifas në vendin fqinj ka nisur një hetim. Burime nga Prokuroria thanë për Report Tv se pala greke ka shfaqur interes, por janë refuzuar. Sipas Prokurorisë, hetuesit grekë mund të vijnë vetëm në rolin e vëzhguesit, por jo aktivë në hetime.
Ndërkohë që sipas mediave të vendit fqinj, ‘Kathimerini’ shkruan se edhe autoritetet greke kanë nisur një hetim për vrasjen e minoritarit. Motra e Kacifas dorëzoi në Prokurorinë greke kartën e identitetit greke të viktimës si shtetas grek, ndërsa hetimet janë transferuar nga Janina në Athinë për të hetuar rastin.
Për herë të parë pas vrasjes, ka folur edhe babai i Kacifas, Janis Kacifa i cili thotë se djali i tij ishte i frymëzuar nga ushtarët grekë, ndjenjat patriotike dhe e donte Greqinë. Gjendja në fshatin Bularat është e qetë, ndërkohë që forcat policore janë larguar nga fshati.
Konstantinos Kaçifa u vra nga reparti RENEA, dy ditë më parë, pasi nuk pranoi të dorëzohej. Ngjarja ka hapur një debat në shtetin fqinj, pasi grupi ekstremist i Agimit të Artë, ka organizuar një protestë ditën e ngjarjes. Mediat greke shkruajnë se Kaçifa u vra pasi u përlesh me policinë, sepse këta të fundit ulën flamurin grek në Bularat, ndërkohë që Tirana zyrtare ka përsëritur faktin se ngjarja është e izoluar, dhe se Kaçifa rrezikoi seriozisht jetën e punonjësve të policisë shqiptare.
Zhvillimet orë pas ore në Bularat, Gjirokastër
Ora 20:50 ‘Një grek më pak, një bastard më pak’, reagon FSHF: Nuk ka asgjë të përbashkët me fushën e blertë
Një banderolë ku shkruhej “Një grek më pak, një bastard më pak” është ngritur të hënën në stadiumin “Selman Stërmasi” përgjatë ndeshjes Partizani-Skënderbeu. Parulla në fjalë ka shkaktuar një sërë reagimesh qoftë nga pala shqiptare e qoftë nga ajo greke, por së fundmi ka reaguar Federata Shqiptare e Futbollit. FSHF-ja e ka cilësuar banderolën me sfond racist dhe të papranueshme për fushën e blertë.
Ora 20:30 Grekët protestë në Athinë, thirrje antishqiptare, djegin flamurin kuqezi
Tubimi është zhvilluar para parlamentit, ndërsa protestuesit kanë shpalosur një pankartë ‘Kacifas i pavdekshëm’ më pas kanë djegur flamurin kuqezi dhe kanë lëshuar thirrje anti shqiptare.
Ora 20:15 Ministria e Jashtme shqiptare thërret ambasadoren greke: Rasti po hetohet, jo ngjyrime politike
Ambasadores iu komunikua pozicioni i qartë i autoriteteve shqiptare lidhur me çështjen në fjalë. Ministria e Jashtme deklaron se ambasadores i’u theksua se ngjarja e rëndë po hetohet nga Prokuroria Shqiptare.
Ora 20:00 Presidenti Meta: Këmbanë alarmi, por s’mund ta zbehë miqësinë me Greqinë
Presidenti Iliri Meta ka reaguar ndaj retorikës nacionaliste që është shfaqur dje në stadiumin “Selman Stërmasi” përmes një banderole nga ana e tifozëve të Partizanit. Ai u ka bërë apel të gjithëve që të qëndrojnë larg shfrytëzimit të vrasjes së ushtarit grek Konstantinos Kacifas, pasi ngjarje të këtij lloji sipas tij duhet të shërbejnë si një këmbanë alarmi për parandalimin e gjuhës së urrejtjes mes popujve.
Ora 17:45 Historiani Xhufi: Problemi fillon që te varrezat, Athina po kërkon kaparin për detin
Xhufi e shikon gabimin që në pranimin nga pala shqiptare të ngritjes së varrezave greke, që sipas tij janë vendtakime konfliktesh. Kërkesën e Athinës për të qenë pjesë e hetimeve që po zhvillohen në Tiranë ai e cilësoi si të kuptueshme.
Ora 17:00 Vrasja e grekut, Breçani në ReportTV: RENEA bëri detyrën
Ish-shefi i shtabit të RENEA-s Erzen Breçani në Report TV foli për ngjarjen e dy ditëve më parë në Bularat ku mbeti i vrare ushtari ekstremist grek 35-vjeçari Kostandinos Kacifa. Breçani tha se se forcat RENEA kanë bërë detyren duke zbatuar në mënyrë rigorozë të gjithë procedurat që duhet të ndiqen në një rast konkret të ngjashëm.
Ora 16:30 Ambasadori i BE: Të mbrohen pakicat, dy vendet të gjejnë zgjidhje për çështjet e vjetra
Duke u ndalur te ngjarja në Bularat, ai kërkoi mbrojtjen e pakicave minoritare, ndërsa theksoi se dy vendet duhet të arrijnë një marrëveshje për rrugëtimin e Shqipërisë në BE, referuar negociatave për dosjet e vjetra, mes tyre kufiri detar.
Ora 15:30 ‘Një grek më pak, një bastard më pak’, distancohet tifogrupi ‘Ultras Guerrils’: Nuk kemi lidhje me parullën raciste
Pas shfaqjes së një banderoleje raciste ditën e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi” nga ana e tifozëve të skuadrës së Partizanit, “Ultras Guerrils” kanë reaguar përmes një postimi në “Facebook”. Ata janë shprehur se nuk i mbështesin parulla të tilla që i barazojnë ato me nivelin e një ekstremisti.
Ora 14:20/ Përfaqësuesi i Avokatit të Popullit në Bularat: Do të kryejmë një hetim të pavarur administrativ
Në fshatin Bularat për të vizituar familjarët e grekut të vrarë ka mbërritur edhe përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, Petrit Azemi. Para mediave, Azemi tregoi që kishte takuar familjarët e të ndjerit duke sqaruar se institucioni që ai përfaqëson do të kryejë një hetim të pavarur administrativ.
Ora 12:45/ Vrasja e ekstremistit grek, Krimet e Rënda lënë jashtë hetimeve Greqinë: Janë të mirëpritur si vëzhgues
Mëson nga burime pranë Krimeve të Rënda, se prokuroria shqiptare nuk lejon palën greke që të marrë pjesë në hetimet për çështjen e vrasjes së ekstremistit grek Konstantinos Kaçifa. Burimet kanë sqaruar se ndërhyrja në hetime nga një vend fqinj është e ndaluar me ligj.
Ora 12:30/ Vrasja e Kaçifas, flet për herë të parë babai: U frymëzua nga ushtarët grekë, e donte Greqinë
Flet për herë të parë babai i Konstantinos Kaçifas, Janis Kaçifa. Ai ka folur për vrasjen e ekstremistit nga RENEA dhe thotë se djali i tij u vra nga policia shqiptare sepse ishte patriot.
Me lot në sy, ai thotë se i biri ishte i ndikuar nga ndjenjat patriotike për grekët dhe se ishte i lidhur me helenizimin.
Ora 12:00/ Ish-ministri grek mbi deklaratën e Ramës: E quajti ekstremist, pra në Shqipëri i vrasin?
Kryetari i grupit parlamentar të Koalicionit Demokratik të Partive të Majta, ish-ministri i Aferave Fetare Andreas Loverdos shprehu mospajtimin e tij të qartë me deklaratën e kryeministrit Rama pas vrasjes së ekstremistrit grek. Zyrtari grek gjithashtu rekomandoi uljen e toneve nga pala shqiptare në mënyrë që kjo çështje të mos kthehej në një problem për dy vendet.
Ora 11:35/ ME VIDEO- Momenti ku e ëma e ekstremistit grek merr vesh për vrasjen e djalit: Iu tha ‘nuk dorëzohem ‘ dhe e vranë
Mediat greke kanë publikuar ditën e sotme, një tjetër video të momentit ku mamaja e ekstremistit grek që u vra në Bularat, mëson se djali i saj është vrarë.
Të ëmën e njofton për vrasjen e djalit, Vasil Kaliva i cili i thotë se i kërkuan të dorëzohej, por Kaçifa është përgjigjur se nuk dorëzohej se ishte grek dhe prandaj e vranë.
Ora 11:10/ Detaje të reja nga Bularati, në Gjirokastër mbërrin mjeku ligjor grek, pretendohet se ekstremisti u plagos e më pas u vra
Mësohen të dhëna të reja nga Bularati për cështjen e vrasjes së ekstremistit grek, Konstantinos Kacifa. Në vendin ku u vra Kacifa, familjarët kanë vendosur lule dhe disa gurë. Mësohet se në Gjirokastër ka shkuar edhe një mjek ligjor grek, i cili është kërkuar nga familjarët për të marrë pjesë në ekspertizën mjeko-ligjore të trupit të 35-vjecarit që ndodhet në morgun e spitalit Omer Nishani në Gjirokastër.
Ora 10:20/ Policia në Bularat, hetime në vendin ku RENEA ekzekutoi ekstremistin grek (VIDEO)
Policia e Shtetit së bashku me prokurorinë e Rrethit Gjyqësor në Gjirokastër, kanë nisur hetimet pikërisht në vendin ku forcat Speciale RENEA kanë ekzekutuar ekstremistin grek, Konstantinos Kaçifa. Makina policie ndodhen në Bularat, ku po këqyret vendi i ngjarjes.
Ora 08:55/ Vrasja e ekstremistit, flet nëna: Kërkoj drejtësi dhe ekspert grekë, im bir nuk bëri asgjë
Nëna e ekstremistit grek që u vra dy ditë më parë në fshatin Bularat të Gjirokastrës ka folur sërish për mediat greke. Vasilia Kaçifa ka treguar se i biri ishte rikthyer për të ngritur flamujt grek në fshat dhe për të nderuar heronjtë.
“Djali im nuk kishte punë me policinë, vetëm ngriti flamurin grek, por ata donin që djali im të përkulej. Fëmija im nuk ka bërë asgjë, kërkoj drejtësi. Ai thjesht e donte nënën Greqi. Ai ngriti flamuj dhe dekoroi fshatin në nderim të heronjve tanë. Do të vijë një ekspert grek. Ne jemi optimist se ata do të na ndihmojë për të vërtetën në mënyrë që shpirti i fëmijës tim të pushojë në paqe. Megjithatë ai nuk kishte frikë. Më thoshte se po bënte asgjë të gabuar,”- u shpreh për mediat greke nëna e ekstremistit.
/ Shqiptarja.com
KOHA JONË SONDAZH

