Greva e naftëtarëve, Baçi: E turpshme sjellja e Ramës, pjesë e maskarallëkut edhe bluzat e bardha
Kreu i PD-së në Fier, Luan Baçi, akuzon qeverinë për sjellje të papërgjeshme ndaj naftëtarëve.
Për Ora News, ai ktitikoi ashpër edhe bluzat e bardha për arrogancën ndaj naftëtarëve të ngujuar në grevë prej 5 ditësh.
Baçi: Punonjësit e rafinerisë janë të tallur dhe nëpërkëmbur prej muajsh dhe vitesh. Është forma e fundit e protestës që ata kanë përzgjedhur, vetësakrifikimin e tyre duke hyrë në grevë urie në ambjentet e shëndetësisë pranë uzinës. Është i turpshëm qëndrimi i qeverisë, kryeministrit dhe deputetëve të parlamentit shqiptar. Do të veçoja qëndrimin e 10 deputetëve të Rilindjes, askush nuk bëhet i gjallë, nuk shkon të interesohet se çfarë bëhet me ata 10 naftëtarë grevistë që janë larg vëmendjes së qeverisë, kryeministrit, prefektit të qarkut dhe gjithë pushtetarëve, përjashtuar median.
Do veçoja problematikat shëndetësore që kanë filluar të shfaqin dhe moskujdesin që kanë të gjitha institucionet. Dje apo pardje kanë vajtur punonjës të shëndetësisë dhe pa pikën e turpit me arrogancë, dukshëm militantë të Rilindjes, mbajtën një qëndrim për të ardhur keq duke u thënë se nëse nuk duan të vizitohen mbetshi me shëndet dhe ikën. Është publikuar dhe video. Edhe mjekët që janë humanë i janë bashkangjitur maskarallëkut dhe arrogancës së qeverisë. Është e dhimbshme që ata punonjës kanë hyrë në grevë urie, kanë muaj dhe vite që kanë hyrë në protesta.
Sipas Baçit, problemet e tyre janë shumë të thjeshta për tu zgjidhur, por duan vullnet nga qeveria.
Baçi: Nuk do të gjejnë dot zgjidhje se janë interesa të mpleksura të gjithë pushtetarëve. Kemi një fakt, ka pasur një gjyq para dy vjetësh nga naftëtarët me kompaninë ARMO, pjesën e shtetit, e kanë fituar gjyqin. Kanë pasur një urdhër ekzekutimi nga përmbarimi për të marrë 5 paga dhe ai urdhër nuk është ekzekutuar, nuk janë marrë masa për të bllokuar paratë e ARMO-s. Përkundrazi kanë bërë dhe një hile, i kanë shitur aksionet e shtetit te privati pa e ditur kush. Rafinerinë e Ballshit ja kanë dhënë një privati dhe pronari ndërrohet herë pas here. Shteti tërhiqet dhe thotë nuk kemi çfarë bëjmë se është privat por nuk do të ndërhyjë, po vjedhin dhe tallen me 800-900 familje dhe përfaqësisë së naftëtarëve që janë në grevë urie. Nuk ka asnjë shqetësim nga qeveria.
Naftëtarët mbyllën sot ditën e pestë të grevës së urisë, ndërsa teksa institucionet heshtin, gjendja e tyre shëndetësore sa vjen dhe përkeqësohet.
Njëri prej tyre, Aleksandër Mejdani, është shoqëruar në spital mëngjesin e sotëm. Grevistët janë gati të shkojnë deri në vetëflijim për pagat e prapambetura dhe rinisjen e punës.
Naftëtarët e Ballshit thonë se kanë 13 paga të prapambetura të fituara me vendim gjykate, ndërsa punonjësit e Poçemit kanë 20 rroga për të marrë.