Greva e urisë së naftëtarëve, kërkojnë 26 pagat e prapambetura

Xhevit Agalliu është një nga punonjësit më të vjetër të uzinës i cili u detyrua të futej në grevë urie, si e vetmja rrugë e mbetur për të kërkuar pagat e prapambetura. “Unë kam 34 vjet që punoj në uzinën e përpunimit të Naftës në Ballsh.Kam punuar me shpirt me gjak, jam sakatuar. Betë e di shpirti im dhe prandaj ndodhen këto bashke me shokët për të kërkuar gjakun dhe djersën që kam dhënë në këtë uzinë. Ne jemi të helmuar”, thotë ai.

Edhe bashkëshortja e tij ka punuar dikur në këtë uzinë por për shkak të sëmundjeve të shumta nga kimikatet ajo ndërroi jetë, dhe tani Xhevitit i duhet të kujdeset për 2 fëmijët jetimë. Si ai janë edhe të tjerë që kanë më shumë se dy vite pa u paguar. ”Pagat kemi 25 muaj pa i marrë. 11 muaj po bëjmë tani që nga shtatori nga ikja e kompanisë Tosk-Energy. Këtu s’ka drejtori, thonë që t’ia kërkojmë privatit, kompanisë. Ne përveç shtetit nuk njohim asnjë tjetër”, tha Taulant Yzeiri, naftëtar.

Kryetari i sindikatës së naftëtarëve të Ballshit, Sokol Dautaj shprehet se ky është një problem i mbartur prej vitesh, ku kompani të ndryshme e shfrytëzojnë uzinën dhe më pas largohen duke mos paguar punëtorët. Sipas Dautajt, megjithëse ka një vendim gjykate të formës së prerë për të përfituar disa paga të prapambetura, sërish përmbarimi nuk e zbaton.

I vetmi njeri që mund ti japë zgjidhje situatës është kryeministri, pasi edhe Ministria e Energjetikës dështoi ta zgjidhte çështjen e naftëtarëve shprehet Dautaj. Naftëtarët thonë se këtë hera greva e urisë nuk do të ndalet deri në sakrificën e fundit, deri sa problem i tyre të marrë një zgjidhje.

SHKARKO APP