Grevë dhe protesta në burgje, KShH kap shkeljet dhe i çon letër Ministrisë së Drejtësisë

Pas protestave dhe grevës nga të burgosurit në disa burgje të vendit, ka bërë që Komiteti Shqiptar i Helsinkit të zhvillojë monitorime në dy prej burgjeve të vendit, Peqin dhe Shënkoll. Pas kontaktit me vetë të burgosurit, KShH, përmes një letre të hapur i ka adresuar të gjitha konkluzionet te Ministria e Drejtësisë. “Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në funksion të misionit të tij për mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave dhe lirive të shtetasve, ka realizuar misione monitorimi në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale (IEVP), në dt. 02.10.2020 (IEVP Peqin) dhe në dt. 05.10.2020 (IEVP Shënkoll) . Vëzhguesit morën takim me stafin institucional, me të dënuarit si dhe verifikuan regjistra, dosje e praktika konkrete. Në përfundim të këtyre monitorimeve, KShH e ka parë të nevojshme adresimin e gjetjeve dhe konkluzioneve kryesore, nëpërmjet një letre të hapur drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, për dijeni Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve“, njofton Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Pas grevës së urisë, të burgosurit e Peqinit i kanë drejtuar një listë me kërkesa drejtorit të burgut, Kamber Hoxha. Një nga kërkesat është heqja e dënimit të përjetshëm dhe ndryshimi i tij në 20 vite burg, ndërkohë që një tjetër kërkesë me karakter ekonomik është shqyrtimi i çmimit të kafes. Në kërkesat e tyre të karakterit legjislativ, përfshihet edhe njohja e vuajtjes së dënimit për liri me kusht nga tre të katërtat, në tre të pestat e dënimit të vuajtur, si dhe ndryshimi i sigurisë së burgut nga siguria e lartë në të zakonshme për ata që kanë plotësuar dy të tretat e dënimit dhe amnistia e përgjithshme. Sa u takon kërkesave të karakterit ekonomik të burgosurit kërkojnë cilësi dhe sasi të ushqimit dhe shtime të numrave për të bërë më shumë telefonata, përveç çmimit të kafes.

Tek kërkesat administrative bie në sy heqja e regjimit të mbikëqyrjes së veçantë për ata që kapen me celular, në lidhje me propozimin në gjykatë për ulje dënimi, të mos shkohet me rrëzim për pjesën e pranimit ose jo të veprës penale, ndërsa kërkojnë që të punësohen në kuzhinë, myslimanë dhe të krishterë, hapjen e klasave me karakter eduaktiv, kalçeto dhe ambient për tharjen e rrobave.

”Të dënuarit me burgim të përjetshëm, të cilët i nënshtrohen regjimit 41 bis në burgun e Peqinit janë nismëtarët e grevës që ka përfshirë këtë institucion”, tha Ministria e Drejtësisë në një komunikatë për mediat disa ditë më parë. Ministria nënvizon edhe se nuk ka pasur ”grevë masive në burgje” por disa të burgosur që shlyejnë dënimin në burgun e Peqinit kanë refuzuar marrjen e ushqimit nga Institucioni duke paraqitur kërkesa të karakterit legjislativ për heqjen e dënimit me burgim të përjetshëm, uljen e dënimeve, amnisti. “Situata është nisur nga subjekte të Regjimit 41bis pavarësisht përhapjes së saj edhe në grup të dënuarish të tjerë në disa institucione të tjera”, thotë më tej Ministria e Drejtësisë.

Sipas saj, situata e krijuar ka marrë fund që më 9 tetor në burgun e Peqinit dhe gjatë ditës së sotme edhe në institucione të tjera në vend. ”Të dënuarve ju është mundësuar adresimi i shqetësimeve të tyre ligjore nëpërmjet përfaqësuesve të tyre ligjorë dhe organizmave monitoruese të të drejtave të njeriut”, thotë Ministria. Gjithashtu njofton se ka nisur një hetim për “të gjithë elementët dhe faktorët e brendshëm apo të jashtëm që kanë synuar provokimin dhe nxitjen e kësaj situate me qëllim destabilizimin e sigurisë në burgje. Ministrja e Drejtësise ka urdhëruar ngritjen e një grupi pune që do të shohë me kujdes të veçantë problematikat e konstatuara për çështjet e sigurisë dhe respektimin e të drejtave të të dënuarve në respekt të kuadrit ligjor në fuqi përfshi dhe ndryshimet e përmirësimet e nevojshme në strukturat drejtuese të sistemit të burgjeve”.

SHKARKO APP