Grida Duma: Ulje në minimum të taksave për biznesin në Durrës‏

 

Kandidatja për bashkinë e Durrësit, Grida Duma bashkëbisedoi me biznesin e vogël në qytet ku ndau me ta nevojën për një bashkëpunim të ri mes bashkisë dhe sipërmarrjes private për të rritur vendet e punës.

Përfaqësuesit e biznesit thanë se ndodhen në kufinjtë e mbijetetëses dhe kërkuan mbështetje dhe ulje taksash.

“Më konkretisht ne jemi i vetmi qytet që kemi taksën e pasurisë 400 lekë për m2. Po ti shtosh kësaj rritjen e taksave të tjera në nivel kombëtar si tatim fitimi apo presione të tjera nga qeverisja qendrore., situata për bizneset bëhet e rënduar.”, u shpreh një prej përfaqësuesve të biznesit të vogël.

Zonja Duma tha se taksat do të ulen në kufirin maksimal ndërsa për taksën e pasurisë që Durrësit e ka më të lartën në vend do ulët në minimumin që e lejon ligji.   

“Taksa 400 lekë për pasurinë, përkundrejt 200 lekë që e ka Tirana është një nonsens që nuk e di si ka mbijetuar deri tani pa e kundërshtuar ju. Tirana e ka 200 lekë referencialen dhe vlerën e ka më të madhe përsa i përket zhvillimit industrial dhe urbanizimit. Unë mendoj që duhet, ndoshta,  të vendoset  më pak se 200 lekë. Ky është premtimi im i parë. Unë besoj shumë më tepër tek taksat e ulëta dhe tek vendosja e rregullat e lojës. Taksat vendore do i zbresim në kufirin minimal dhe do fillojmë të bashkëpunojmë në terma të tjerë”, tha Duma.

Kandidatja e djathtë u shpreh se bashkëpunimi me biznesit do të jetë prioritet dukë pasur si synim hapjen e vendeve të punës. “Kollona parësore e projektit tonë për bashkinë e Durrësit që është punësimi, në fakt do bjerë mbi shpatullat tuaja. Kontrata e pastër që siguron sipërmarrja privare është; eja me mua, të fitosh ti, të fitoj dhe unë. Ndonëse njerëzit sot pyesin me skepticizëm se ku do hapen këto vende pune, u them në bashkëpunim me biznesin. E vetmja gjë që bën bashkia në këtë rast është të hapë rrugën. Modeli i parë i zhvillimi është ulja e taksave”, u shpreh Duma.

Ajo propozoi edhe ngritjen e Senatit të Durrësit, një këshill konsultativ ku do të marrin pjesë të gjitha grupet e interest e do të jenë pjesë e vendimarrjes për çdo vendim të rëndësishëm  në qytet.

“Propozoj krijimin e Senatit të Bashkisë së Durrësit me grupet e interesit të cilat që do të marrin pjesë në planifikimin e madh. Disa nga përfaqësuesit tuaj për të cilët ju do bini në konsensus të jenë në tavolinën e marrjes së vendimeve.”, tha Duma.

 

SHKARKO APP