Gripi i shpendëve, Bino: Asnjë person i infektuar
Shefja e Shërbimit të Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik, Silvana Bino, bën me dije se nuk ka asnjë person të infektuar deri më tani nga gripi i shpendëve H5N1. Bino shton se ekspertët e ISHP kanë nisur monitorimin e situatës së personave që kujdesen për shpendët.
“Personat që kujdesen për shpendët natyrisht janë edhe më të rrezikuarit. Kjo është dhe arsyeja që ISHP sëbashku me ekspertë të Shëndetit Publik të Tiranës kanë kryer mbikëqyrje, kanë analizuar çdo lloj sindrome respiratore. Janë marrë mostra, janë testuar njerëzit dhe s’ka rezultuar asnjë i infektuar”, nënvizoi ajo.
Bino tha se mundësia e kalimit të sëmundjes nga shpendët tek njeriut është shumë e ulët. Ajo tha se duhet eliminimi i shpendëve të infektuar për të mënjanuar çdo mundësi infektimi të njeriut. “Është përqindje shumë e vogël, prandaj ne duhet të parandalojmë çdo mundësi dhe asgjësimi i shpendëve të evidentuar si të infektuar është shumë i rëndësishëm. Ky asgjësim duhet bërë në kushtet e duhura. Personat që e bëjnë asgjësimin, duhet të jenë të veshur me mjetet e mbrojtjes personale”, tha ajo.