Gripi i shpendëve, identifikohet një vatër në Peqin
Më datë 8 qershor, Ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural konfirmoi se në vendin tonë janë regjistruar rastet e para të gripit të shpendëve të tipit H5N8 dhe që prej asaj dite, janë marrë një sërë masash që lidhen me ndalimin e importeve.
Njësia administrative e Karinës në Bashkinë e Peqinit, është identifikuar si vatra e radhës me gripin e shpendëve. Shërbimi veterinar i Elbasanit, sapo është vënë në dijeni të rezultateve pozitive të analizave të bëra ka vendosur menjëherë asgjësimin e shpendëve të infektuar. Të gjitha shpendët janë identifikuar në të njëjtën fermë.
Shërbimi veterinar i ka bërë thirrje fermerëve që të tregohen të kujdesshëm dhe të mos tregtojnë shpendë për një periudhë të caktuar kohore, por kjo masë po kundërshtohet nga fermerët të cilët shprehen se me këtë punë mbajnë familjen dhe nuk mund të mos tregtojnë shpend përderisa nuk kanë ende raste të dyshimta.
Sherbimi veterinar vijon të apelojë për vëmendje të shtuar të fërmerëve ndaj shpendëve që kanë si dhe të lajmërojnë menjëherë institucionet përkatëse nëse kanë dyshime për infektim të shpendëve apo shfaqje të shenjave të ngjashme të infektimit.